Botë
Lufta Izrael – Hamas, ndërmjetësuesit shtojnë përpjekjet për armëpushim
18.12.2024 12:22
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ndërmjetësuesit arabë...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ndërmjetësuesit arabë, po bëjnë përpjekje të mërkurën për të përmbyllur një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian, për të ndërprerë luftën 14-muajshe në Rripin e Gazës, ku mjekët kanë thënë se sulmet izraelite vranë të paktën 16 palestinezë gjatë natës.
Në Kajro të Egjiptit u tha se një marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë ditëve të ardhshme për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë, në këmbim me të burgosur palestinezë që mbahen nga Izraeli. Administrata amerikane dhe ndërmjetësues nga Egjipti dhe Katari kanë bërë përpjekje intensive ditëve të fundit, për të arritur përparim në bisedime, para se presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, të largohet nga pushteti muajin e ardhshëm. Negociatorët izraelitë shkuan në Doha të martën, në përpjekje për të ngushtuar dallimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit rreth një marrëveshjeje që Bajdeni e ka paraqitur në maj.
Bisedime janë mbajtur vazhdimisht gjatë vitit, por të gjitha kanë dështuar, teksa Izraeli ka ngulmuar që të mbajë një prani ushtarake në Gazë, ndërsa Hamasi ka refuzuar t’i lirojë pengjet, derisa trupat izraelite të tërhiqen. Lufta në Gazë, e nxitur nga një sulm i udhëhequr nga Hamasi ndaj komuniteteve në Izraelin jugor, i cili vrau rreth 1.200 persona dhe në kuadër të të cilëve u rrëmbyen mbi 250 njerëz, ka tronditur Lindjen e Mesme dhe e ka lënë Izraelin të izoluar në skenën ndërkombëtare. Fushata ushtarake e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 45.000 palestinezë, ka zhvendosur shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh dhe ka shndërruar në rrënoja pjesën më të madhe të enklavës.
