Qeveria e Kosovës, vendim për themelimin e Muzeut të Gjenocidit

18.12.2024 13:45

Qeveria e Kosovës ka sjellë vendim për themelimin e Muzeut të Gjenocidit...

Qeveria e Kosovës ka sjellë vendim për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Janë bërë më shumë se një çerek shekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende janë të njoma e të hapura plagë të shumta dhe ende është e rëndë dhimbja e pikëllimi nga vrasjet masakrat dhe krimet e forcave policore ushtarake të Serbisë të urdhëruara e të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë, në kuadër të projektit të tyre gjenocidal për shfarosjen e popullit tonë, deklaroi në mbledhjen e Qeverisë kryeministri, Albin Kurti.

“Në këtë çerek shekulli liri, një brez i tërë janë lindur dhe pas luftës janë rritur. Gjeneratat e reja duhet ta kenë mundësinë e njohjes të së kaluarës tonë, të dëshirës për të jetuar në liri dhe dashurisë së pareshtur për Kosovën në kohërat më të vështira e në kushtet më të rrezikshme. Të gjitha dëshmitë e provave të kryera gjatë luftës nga shteti i Serbisë në Kosovë, të mbledhura nga organizata dhe gjykata ndërkombëtare, nga hulumtues të botës akademike apo të pavarur, bashkë me prova dhe dëshmi të pambledhura deri më tani, tash po mblidhen dhe po sillen në institucionet e Republikës së Kosovës për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive, duke i sistematizuar dhe kategorizuar ato. Ne po shikojmë prapa në kohë që të ecim edhe më sigurt në të ardhmen evropiane e paqësore, demokratike e prosperuese.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kundër këtij vendimi ka dalë ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili abstenoi gjatë votimit. (Gyltene Sinani, TVM2)