Maqedoni
Lotaria Shtetërore, Grubi dhe Bajrami në kërkim ndërkombëtar
18.12.2024 15:07
Ish-zëvendëskryeministri, Artan Grubi, dhe drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami...

Ish-zëvendëskryeministri, Artan Grubi, dhe drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, edhe zyrtarisht shpallen të arratisur dhe në kërkim me fletarrest ndërkombëtar. Fotografitë dhe të dhënat e tyre si persona në kërkim janë publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pak ditë më parë, me anë të një postimi në Fejsbuk, Grubi bëri të ditur se ndodhet në një vizitë private dhe se pas përfundimit të detyrës do të kthehet në vend, ndërsa kërkoi të mos shpiket dhe spekulohet për udhëtimin e tij.
Urdhri është lëshuar pasi Gjykata Penale në Shkup u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Katër personave, të cilët po ashtu janë përfshirë në hetim për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, nga gjykata u është caktuar masa e kujdesit, u janë konfiskuar pasaportat dhe kanë për obligim që herë pas here të paraqiten para një zyrtari në gjykatë. Aktualisht ende nuk ka informacion zyrtar se ku janë Grubi dhe Bajrami.
Ndërkohë, Prokuroria Publike ende nuk ka marrë vendim për dy nga rastet e raportuara, ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ish-sekretarin e përgjithshëm në Qeveri, Metodija Dimovski. Kallëzimi penal nga policia nuk është refuzuar, Prokuroria Publike ka njoftuar se raportimet janë për veprime të tjera në periudhë tjetër dhe se kontrollet vazhdojnë. Grubi dhe Bajrami dyshohen për keqpërdorim të tetë milionë eurove përmes prokurimit të paligjshëm të terminaleve të videolotarisë, të cilat nuk u vunë kurrë në përdorim.
FLORIJE KAMBERI
