Maqedoni

Bruksel, Samiti BE - Ballkani Perëndimor

18.12.2024 15:37

Përparimi i raporteve të BE-së me Ballkanin Perëndimor, Plani i rritjes për rajonin tonë...

Përparimi i raporteve të BE-së me Ballkanin Perëndimor, Plani i rritjes për rajonin tonë, thellimi i angazhimit politik në vendet aspirante  janë në fokus të Samitit Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor në Bruksel, i cili ka filluar pikërisht në këtë orë. Zgjerimi i BE-së është pikë kryesore e mbledhjes. Në suaza të Samitit, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në kuadër të Këshillit për Punë të Përgjithshme kanë miratuar konkluza për vendet e rajonit.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Këshilli për Punë të Përgjithshme përshëndet vendosmërinë e qeverisë së re për integrim në BE, por edhe kërkon që të respektohen vendimet e qershorit të vitit 2022, që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, proces për të cilin Këshilli bën thirrje që të përshpejtohet, në mënyrë që t’i hapet rruga konferencës së dytë ndërqeveritare. Të punohet edhe në fqinjësinë e mirë dhe implementimet e dy marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, thuhet në konkluza. Kryeministri Hristijan Mickoski në kuadër të Samitit, takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, si dhe me homologë të tij nga vendet anëtare të BE-së. 
 
Përveç kreut të ekzekutivit, delegacionin e përbën edhe ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani, dhe ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. Samiti përmbyllet në orën 19:00 me një press konferencë të kryetares së KE-së, Ursula von der Lejen dhe eurokomesares për Zgjerim, Marta Kos. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU