Maqedoni

Kuvend, gjuha shqipe përplas Ilire Dautin me zëvendëskryeministrin, Mexhiti

18.12.2024 15:51

Ligji për përdorimin e gjuhëve, Ligji i balancuesit, himni i vendit në shkolla e shumë çështje të tjera ishin pjesë e debatit në seancën e Kuvendit...

Ligji për përdorimin e gjuhëve, Ligji i balancuesit, himni i vendit në shkolla e shumë çështje të tjera ishin pjesë e debatit në seancën e Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve. Deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti, u përplasën me zëvendëskryeministrin, Izet Mexhiti, por edhe përfaqësues i Qeverisë. 
 
“Gjuha shqipe është gjuha zyrtare e 30 për qind të qytetarëve të këtij shteti, por në sytë e kryeministrit po vazhdon të thirret ashtu siç nuk gjuhet, pra gjuha të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë, e që është e ndryshme nga gjuha maqedonase. Ky kryeministër së bashku me partnerë të tjerë të koalicionit, përfshirë edhe ato shqiptarë, vazhdojnë që të gjitha ligjet t’i sjellin vetëm në gjuhën maqedonase.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti.
 
Por, përgjigje mori nga zëvendëskryeministri, i cili theksoi se gjuha shqipe për fat të keq akoma vazhdon të keqpërdoret nga opozita shqiptare. 
 
“Gjuhën shqipe mjaft më tentuat ta keqpërdorni, sepse deklaratat edhe të kryeministrit edhe të VLEN-it, edhe të presidentes se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe është rregulluar në këtë status që e keni lënë, pra në ligjin e gjuhëve që përkufizohet me 20 për qindëshin. Ne dëshmuam se nuk preket Ligji i gjuhëve, edhe për Ligjet e arsimit nuk keni pse të brengoseni se ka kush i përfaqëson shqiptarët.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
 
Deputetja Dauti e pakënaqur nga përgjigja reagoi.
 
“Pse silleni si pa kokë në Qeveri dhe në kuadër të Kuvendit, por përgjigjen nuk e dhatë. Për çështjet e tjera, do të duhet që vet Izet Mexhiti ta pyet Izet Mexhitin se pse e ka lënë që gjuha shqipe të thirret dhe të quhet në Kushtetutë 20 për qindësh!?”, - u shpreh deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti. 
 
“Nëse mua më janë dashur 20 vite për të reflektuar, atëherë nuk po e kuptoj se ju pas 20 viteve pse u bëtë me BDI-në? Ju ka ndodhë që duke e udhëheq dikasterin e Drejtësisë, ministri juaj, është abroguar ligji për librat amë, ku është eliminuar përkatësia etnike e fëmijëve të porsalindur, por ju atëherë nuk keni bërë zë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti. 
 
Përplasje kishte edhe mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së, të cilët kishin mospajtime për sa u përket gjendjes së rëndë në financimin e disa projekteve madhore, por edhe në borxhin e lartë që kjo Qeveri e ka futur vendin. Ndërsa nga Qeveria thonë se këto janë parametrat e parë se shteti po kthehet në normalitet pas kaosit të cilën e kishte shkaktuar qeverisja e kaluar.   
 
FITIM KRYEZIU