Maqedoni
VLEN: Grubi të kthehet dhe të përballet me drejtësinë
18.12.2024 16:06
Koalicioni VLEN fton ish-zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, të kthehet dhe të përballet me drejtësinë...

Koalicioni VLEN fton ish-zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, të kthehet dhe të përballet me drejtësinë. Nga koalicioni VLEN thonë se keqpërdorimet në Lotari do të zbardhen dhe të gjithë ata që kanë vjedhur do të japin përgjegjësi.
“Eja e përballu, Artan! Shqiptarët nuk kanë zakon të ikin. Shqiptarët kur kanë të drejtë përballen me ballin lartë dhe nuk tremben. Mos i baltos shqiptarët, mos i përdor ata si mburojë për krimet e tua. Koalicioni VLEN ka kohë që paralajmëron se partia non grata BDI është parti e kapur nga struktura kriminale të udhëhequra nga Artan Grubi.”, - deklaroi Driton Sulejmani nga koalicioni VLEN.
VMRO – DPMNE: Opozita të ftojë Grubin të kthehet
Sipas VMRO – DPMNE-së, Grubin duhet ta kthejnë BDI-ja së bashku me LSDM-në si bashkëveprimtare në arratisjen e tij.
“E qartë është që Grubi nuk ka moral, as përgjegjësi përderisa iku, në vend se para gjykatës të përballet me argumentet. BDI-ja dhe LSD-ja, të cilët aktronin se janë evropianë, tani heshtin për ikjen e Grubit. Nëse vazhdojnë të heshtin, atëherë është e qartë se po mbështesin arratisjen e Grubit.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
LSDM: BDI dhe VMRO ndihmuan Grubin
Por, nga LSDM-ja aludojnë se BDI-ja gjatë arratisjes së Grubit në Kosovë është ndihmuar nga VMRO – DPMNE-ja. Ata hedhin në sipërfaqe informacione se policia ka qenë e vendosur për tre ditë rresht para kufirit Bllacë, por nuk e ka ndaluar Grubin ditën kur ai ka lëshuar shtetin. LSDM-ja shfaq dyshime se i gjithë skenari është pjesë e pazareve politike midis BDI-së dhe VMRO-së.
“Kontrolli policor ka qenë i vendosur për tre ditë. Kjo qartë flet se ata kanë dyshuar se ai mund të ikë. Por, sipas informacioneve tona, patrulla policore, nuk ka ditur se kë duhet të ndalojnë. Ata kanë marrë informacion pasi Grubi ka lëshuar shtetin. Kjo flet për dy skenare: ose kanë qenë të paaftë ta ndalojnë ose e dyta me qëllim nuk e kanë ndaluar. Toshkovski a do të thotë se si Grubi lirshëm ka lëshuar shtetin ditën kur duhej të zbardhet hetimi, ndërkaq aksioni i MPB-së për ndalimin e tij është totalisht i pasuksesshëm.”, - u shpreh Martin Kostovski nga LSDM.
Kthimin e Grubit për t’u përballur me drejtësinë, për sa i takon rastit të “Lotarisë” e ka kërkuar edhe bashkëpartiaku i tij, Blerim Bexheti.
MERAL ISMAILI
