Izraeli bombardon dy shtëpi në veri të Gazës, vriten 11 palestinezë
Të paktën 11 palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur...

Të paktën 11 palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj dy shtëpive në veri të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Sipas informacionit që gazetari i AA-së ka siguruar nga burimet lokale, avionët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi në rajonin Jabalia në veri të Rripit të Gazës. Sipas të dhënave, 8 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit ajror në shtëpinë e familjes palestineze Najjar.
Në sulmin ajror ndaj shtëpisë së familjes Al-Zaitune në qytetin verior të Gazës, humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 10 të tjerë mes tyre edhe fëmijë.
Zëdhënësi i Administratës së Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal deklaroi se ushtria izraelite kreu masakër duke sulmuar dy shtëpi në veri. Ai tha se shtëpitë u shkatërruan si rezultat i sulmeve dhe se për të bllokuarit nën rrënoja përfshirë fëmijë, kanë filluar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 45.097 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra ndërsa 107.244 persona të tjerë u plagosën.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.
