Zelenski, drejtuesit e NATO-s dhe BE-së diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski...

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, pati bisedime me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, dhe udhëheqës të tjerë evropianë, me synimin për të marrë ndihmë të menjëhershme për të forcuar përpjekjet e Kievit në luftë dhe për të diskutuar garancitë afatgjata të sigurisë.
Presidenti Zelenski tha se bisedimet e së mërkurës në Bruksel dhe një diskutim me 27 udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ishin "një mundësi shumë e mirë për të folur për garancitë e sigurisë për Ukrainën për sot dhe për nesër".
Ndërsa Rute tha se bisedimet do të fokusohen tek marrja e masave që Ukraina të jetë "në pozicionin më të mirë të mundshëm" sa herë që vendos të hyjë në bisedimet e paqes, duke e furnizuar me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë të tjera për të mbështetur luftën e Kievit kundër forcave pushtuese ruse.
NATO-ja nuk tha se kush do të merrte pjesë në këto bisedime. Por, diplomatët thanë se në bisedime do të përfshiheshin kancelari gjerman, Olaf Sholc; kryeministrja italiane, Xhiorxhia Meloni; presidenti polak, Andrej Duda; ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë; si dhe zyrtarët e lartë të BE-së, Ursula von der Lejen dhe Antonio Kosta.
