IQAir, Shkupi në vendin e 7-të në botë me ajër të ndotur

19.12.2024 14:51

Mëngjesin e së enjtes Shkupi është radhitur...

Mëngjesin e së enjtes Shkupi është radhitur ndër qytetet më të ndotura në botë, respektivisht në vendin e shtatë sipas të dhënave të fundit të platformës IQAir. Si ndotës kryesor renditen grimcat PM 2.5 me përqendrim 78.9 mikrogram për metër kub, ndërsa grimcat PM 10 me përqendrim 98.6 mikrogram për metër kub.

Përqendrimi i PM 2.5 në kryeqytet ishte 15.8 herë më i lartë se vlera vjetore udhëzuese e cilësisë së ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Mjekët thonë se ndotja e lartë e ajrit po shkakton pasoja në shëndetin e qytetarëve.  

“Përgjithësisht shohim ndryshime në traktin e sipërm respirator, rrjedhje të hundëve dhe përforcim të ndikimit të sinuseve, por janë të pranishme edhe sinuset kronike të cilët aktivizohen gjatë kohës së dimrit. Kohëve të fundit shohim edhe tek trakti i poshtëm respirator, të shoqëruara me pleumoni, por edhe bronkite kronike. Kështu që ky lloj i ajrit të cilën po e thithim, rrit simptomat tek të sëmurit kronikë, posaçërisht ndikon tek personat të cilët janë të sëmurë me astmë apo bronkit kronik, por nuk përjashtohen edhe personat të cilët janë hipertenziv apo edhe personat me diabet.”, - deklaroi mjeku, dr. Bojan Trajkovski.                           

Qytetarët thonë se me të dalë në ambient të hapur e ndjejnë nivelin e ndotjes së ajrit, sidomos në orët e para të mëngjesit.

“Po pengon, si jo. Po pengon se po na paraqitet kollitje, kjo ndikon në shëndet, në frymëmarrje, thjesht nuk po mund të marrim frymë. Prandaj shumë shpejt po dalim vetëm për ndonjë punë që duhet mbaruar shpejt.”, - tha një qytetar.

“Këtu tek fyti po ndjej dhimbje, por edhe tek pjesa e hundës. Prandaj në mëngjes nuk po dal, sepse ajri është shumë i ndotur dhe po zgjedh mesditën.”, - tha një qytetare.

“Këtu në mbrëmje po më duket më pastër, sikur të shkoni në lagjen e Lisiçes, gjendja është shumë e vështirë.”, - tha një qytetar tjetër.                                                                                               

Gjendja e rëndë me nivelin e ndotjes së ajrit ishte edhe në qytetin e Kërçovës, Velesit dhe Tetovës. Ndërsa qyteti më i ndotur në botë ishte Delhi në Indi dhe pasohet nga Lahore në Pakistan dhe në vendin e tretë është Sarajeva. (Fitim Kryeziu, TVM2)