Maqedoni
Arratisja e Grubit, LSDM: Aksion i koordinuar i VMRO – DPMNE-së
19.12.2024 15:35
Arratisja e ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi...

Arratisja e ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi, ka përplasur partitë politike. Socialdemokratët kanë hedhur një tezë të re mbi ikjen e Grubit, e që sipas tyre nuk ka qenë e rastësishme, por një aksion I koordinuar mire nga ministri i Brendshëm, Toshkovski.
Nga LSDM-ja për këtë zhvillim kërkojnë llogari, por edhe dorëheqje të Toshkovskit.
“Përse Toshkovski hesht për mungesën e instruksioneve ndaj patrullës policore, se kë duhej të ndalojnë dhe kontrollojnë ata? A janë lënë qëllimisht pa instruksione? Sa i përket dy policëve të suspenduar, njëri prej tyre me iniciale B.J. është vënë në pozicionin për kontroll kufitar me ardhjen e Toshkovskit ministër. Kjo nënkupton se personi që ka ndaluar Grubin është zgjedhja e personale e Toshkovkit. Pyesim nëse është vënë në këtë pozicion vetëm për veprime të tilla?”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Keqpërdorimet në lotari, VMRO: LSDM-ja, fajtore për veprimet e Grubit
Por, nga VMRO-DPMNE-ja akuzat i kthejnë kah LSDM-ja, me fokus në heshtjen e krimeve në Lotarinë Shtetërore nga ish-pushteti i drejtuar nga socialdemokratët. Sipas VMRO-DPMNE-së, skandali nuk është zbuluar për të mos rënë Qeveria e Kovaçevskit.
“LSD-ja është fajtore që Grubi ndër vite ka vjedhur shtetin dhe ka ndikuar në gjyqësor. Bashkëpunëtor i tij në krim ka qenë Kovaçevski. Këtë e ka ditur edhe MPB-ja dhe nuk ka pasur asnjë reagim, pasi LSD-ja ka dashur me çdo çmim të rrijë në Qeveri. VMRO – DPMNE-ja me vite flet për krimin e Grubit, por LSD-ja lejoi që kjo të metastazojë në përmasa të papara.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO – DPMNE.
Llogaridhënia publike, BDI: VMRO-ja dhe VLEN-i penguan kufizimet e rrepta
Akuzave të fundit të pushtetit i është përgjigjur edhe BDI-ja, nga e cila thonë se gjithmonë janë angazhuar për transparencë dhe llogaridhënie.
“BDI-ja ka qenë gjithmonë e angazhuar për llogaridhënie dhe transparencë në të gjitha nivelet e jetës publike. Pikërisht për këtë arsye, gjatë udhëheqjes sonë në Qeveri deri në maj të këtij viti, ministrat tanë propozuan një ligj progresiv që vendoste kufizime të rrepta ndaj individëve të shpallur në “listën e zezë” të ShBA-së për korrupsion. Ky ligj synonte të ndalonte këta individë të merrnin pjesë në zgjedhje dhe në proceset e prokurimit publik – një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e proceseve demokratike dhe besimit publik. Megjithatë, ngjarjet e fundit kanë sjellë një valë sulmesh politike ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ku disa aktorë politikë po përpiqen të shfrytëzojnë situatën për përfitime të tyre. Është e rëndësishme të qartësojmë të vërtetën me transparencë dhe vendosmëri. Pavarësisht këtij angazhimi të qartë për llogaridhënie, propozimi i ligjit u bllokua në Kuvend nga VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i.”, thonë nga BDI.
VLEN: Viktimizimi nuk e shfajëson BDI-në
Por, nga VLEN thonë se viktimizimi nuk e shfajëson BDI-në nga krimi dhe korrupsioni.
“BDI-ja në rolin e viktimës tenton të dalë nga petku i krimeve dhe keqpërdorimeve që ka bërë për 22 vjet. BDI-ja me propozime për veting ndërkombëtar, tenton të krijojë mjegull te shqiptarët. Ne kujtojmë opinionin se pikërisht kjo BDI realizoi ndryshime të turpshme në Kodin Penal për të amnistuar raste të shumta të korrupsionit politik. Memoria kolektive është më e gjatë, veprimtaria e tyre e pistë. Qytetarët mbajnë mend dhe për këtë arsye do të vazhdojnë t’ju dënojnë me votë ashtu siç vepruan në zgjedhjet e fundit. Në zgjedhjet e ardhshme lokale edhe më fuqishëm do të demaskoheni në tërësi. BDI-ja sërish po luan me vetëdijen e qytetarëve, akoma përmendin veting derisa personi kryesor i kësaj partie po i ikë drejtësisë.”, thonë nga VLEN-i, duke shtuar se kanë për synim të ndërtojnë një mekanizëm kushtetues ku do të përfshihen të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilët kanë përfituar padrejtësisht përmes abuzimeve me detyrën e tyre zyrtare të japin përgjegjësi para drejtësisë.
MERAL ISMAILI
