Maqedoni
VLEN, akuza Qeverisë së kaluar për projektet kapitale
19.12.2024 15:53
Koalicioni VLEN ka lëshuar akuza në drejtim që Qeverisë së kaluar...

Koalicioni VLEN ka lëshuar akuza në drejtim që Qeverisë së kaluar për keqpërdorime në projektet kapitale, pas hetimeve dhe aktakuzave të Prokurorisë në lidhje me keqpërdorime të parave në procedurën e ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës në Tetovë.
Në këtë kontekst nga VLEN-i përmendin mospërfundimin e spitalit të Kërçovës, 12 kilometrat e autostradës Shkup – Bllacë, autostrada Kërçovë – Ohër, shkolla fillore në Çashkë, shkolla e mesme në Kumanovë, ujësjellësi në Likovë, kanalizimi në Zajaz, Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës.
“Kjo dëshmon dhe vulos se pushteti i kaluar kanë qenë hajdutë të pangopur kanë vjedhur pa masë. Ky rast i freskët i korrupsionit na jep përgjigjen më të kompletuar mbi pyetjet tona e të gjithë qytetarëve se pse projektet kapitale që i fillonte BDI-ja nuk kishin fund. E natyrshme është të parashtrojmë pyetje akoma edhe pse tashmë përgjigjen e kemi të gatshme, por përse spitali i Kërçovës nuk u ndërtua me vite, 12 kilometrat Shkup – Bllacë zgjatën me dekada akoma nuk janë përfunduar, autostrada Kërçovë – Ohër, shkolla fillore në Çashkë, shkolla e mesme në Kumanovë, ujësjellësi në Likovë, kanalizimi në Zajaz, e qindra projekte të tjera që kishin ngecur pa përfunduar. Sepse, me gjasë në të gjitha këto projekte janë tentuar të gjinden rrugë që së pari të vjedhin e pastaj nëse ngel buxhet të punojnë. Hajnat që kanë vjedhur tani janë mes rrugës që e krijojnë vet arratinë apo rrugës së vetme që i ka ngelur brenda vendit që të përfundojnë aty ku e kanë vendin, në qeli. Hajnat prapa grilave, qytetarët do të jenë triumfues e para hajnave.”, - deklaroi Lulzime Qazimi Ameti nga VLEN.
Ditë më parë Prokuroria Për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi dhe propozim akuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizik në lidhje me ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës.
Sipas tyre, të akuzuarit i kanë manipuluar dokumentet dhe rregullat e procedurës për ndarjen e marrëveshjes për furnizime publike dhe e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me çka, kanë përfituar rreth 13.5 milionë euro.
VISAR SADIKI
