Ekonomi
Banka Botërore: RMV-ja e fundit, sa i përket shërbimeve publike
19.12.2024 16:29
Maqedonia e Veriut është e fundit në rajon për sa i përket rezultateve...

Maqedonia e Veriut është e fundit në rajon për sa i përket rezultateve të dhënies së shërbimeve publike, thuhet në raportin e Bankës Botërore “Bussines Ready”, i cili u prezantua në Kuvend.
Nga Banka Botërore theksojnë se nëse të gjithë punojnë në shmangien e rezultateve negative, atëherë në periudhën e ardhshme vendi mund të merr një raport pozitiv, e jo negativ siç kishte gjatë këtyre dy viteve të fundit. Që biznesi të ketë kushte të mira pune duhet të përmirësohet klima ekonomike, sipas Bankës Botërore.
“Rritja potenciale është ulur gjithashtu, që do të thotë se ka diçka që duhet të bëhet që të ulen shkaqet për këtë ulje, ndërsa këto janë produktiviteti, migrimi, të gjitha ato çështje që ndikojnë në rritjen afatgjate të ekonomisë potenciale.”, - deklaroi Masimiliano Paluçi nga Banka Botërore.
“Kur i shikojmë shërbimet publike, Maqedonia e Veriut është gjysmë e përgatitur. Është interesante që kompanitë mund të jenë më rezistente, do të gjejnë mënyrë pune, madje edhe kur ka sfida në shërbimet publike, megjithatë nëse përmirësohen shërbimet publike, kompanitë mund edhe më tepër të rriten dhe të zhvillohen.”, - theksoi Valeria Peroti nga Banka Botërore.
Ekonomia e zezë është një tjetër hallkë shqetësuese për ekonominë vendore. Nëse duam të çrrënjosim korrupsionin dhe ekonominë e zezë, duhet të paguajmë tatime, vlerëson drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova. Gjithashtu ajo pajtohet se bizneseve duhet t’u mundësohen më tepër lehtësira.
“Përmes stimulimeve apo lehtësimeve tatimore të cilat mundet të jenë të drejtuara drejt investimeve, inovacioneve dhe fushave tjera ku duhet të arrihen stimuj të caktuar, por përveç politikës tatimore, mjedisin tatimor e përbëjnë edhe administrimi i taksave dhe pikërisht këtu është efikasiteti i DAP-it, e cila duhet fillimisht të sigurojë mbështetje për kompanitë, e jo të vendosë barriera shtesë.”, - theksoi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
Ekonomistët pajtohen se Maqedonia përballet me shumë sfida në aspekt të konsolidimit fiskal.
“Është nevoja goxha e lartë e konsolidimit fiskal, sepse gjendja fiskale e Maqedonisë së Veriut në të gjitha nivelet, jo vetëm në rrafshin qendror, por në rrafshin lokal është edhe më keq është goxha e paqëndrueshme dhe ka nevojë për konsolidim. Në të gjitha raportet tona monitoruese që edhe i prezantojmë tërheqim vëmendjen për këtë nevojë të madhe.”, - u shpreh anëtari i Këshillit Fiskal, Ablulmenaf Bexheti.
Përndryshe në prezantimin e raportit të Bankës Botërore në Kuvend të pranishëm ishin ekspertë të fushës, parti politike, përfaqësues të Bankës Botërore dhe të institucioneve shtetërore.
ERSAN PAJAZITI
