Botë

Rezultatet e regjistrimit, në Kosovë jetojnë 1 milion e 602 mijë e 515 banorë

19.12.2024 16:56

Në bazë të regjistrimit të popullsisë të realizuar...

Në bazë të regjistrimit të popullsisë të realizuar, gjatë këtij viti në Kosovë jetojnë 1 milion e 602 mijë e 515 banorë. Këtë e ka bërë të ditur kreu i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, duke shpallur rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.
 
Megjithëse pjesa më e madhe e komunitetit serb në veri të Kosovës ka refuzuar të marrë pjesë në Regjistrimin e Popullsisë, ekspertët ndërkombëtarë kanë bërë vlerësimin e popullsisë në këtë pjesë të Kosovës, sipas të cilëve në atë pjesë jetojnë 24 mijë banorë. 
 
“Përkundër angazhimit maksimum, një pjesë e komunitetit serb në veri nuk është regjistruar, një pjesë është regjistruar. Mbi 6 mijë vetë janë regjistruar në veri për herë të parë, krahasuar me vitin 2011. Por, shumica e komunitetit serb nuk morën pjesë. Ne diskutuam me ekspertë ndërkombëtarë edhe bazën e vlerësimit të popullsisë për komunitetin serb në atë pjesë e kanë bërë më shumë ekspertet ndërkombëtarë. Është një lloj kriteri standard që shteti duhet që të ketë çfarëdo burime, ose intervista ose përmes përllogaritjeve të tjera që të kemi një numër total, sepse është si një emërues i përbashkët për shumë indikator. Dhe ne kemi ardhur në përfundim se në pjesën veriore të Kosovës jetojnë rreth 24 mijë banorë atje edhe u është bashkangjitur kësaj pjese që është regjistruar. Andaj ishte ai numri 1 milion e 602 mijë, total i Kosovës.”, - deklaroi kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.
 
Sipas këtij regjistrimi, nga dëmet e luftës janë të prekura gjithsej 154 mijë e 272 ekonomi familjare. 
 
“Nga dëmet e luftës, gjithsej ekonomi familjare të prekura janë 154.272. Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, janë vlerësuar mbi 5 miliardë euro. Dëmet e luftës në njerëz, të vrarë 11, 417, të zhdukur 1.047.”, - theksoi kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.
 
Të dhënat për diasporën nuk janë publikuar pasi procesi i regjistrimit të diasporës vazhdon edhe gjatë këtë muaji.   
 
GYLTENE SINANI