Maqedoni
OJQ “Forumi për ndryshime në arsim” kërkon bileta të subvencionuara për studentët
19.12.2024 17:25
Çdo student mesatarisht shpenzon 400 - 500 denarë në ditë për transport...

Çdo student mesatarisht shpenzon 400 - 500 denarë në ditë për transport dhe kjo paraqet një barrë të konsiderueshme financiare që ndikon në vijimin e mësimit dhe ngarkon buxhetet familjare.
Rritja e shpenzimeve të transportit ndërkomunal me autobus në RMV, ka krijuar barrierë të konsiderueshme për të rinjtë, veçanërisht studentët dhe profesionistët në fazë të hershme të karrierës, thotë kreu i organizatës joqeveritare për të rinjtë, “Forumi për ndryshime në arsim”, Bledi Hodai, i cili kërkon zbritje të tarifave, gjegjësisht harxhimeve të shportës studentore.
Kjo çështje është veçanërisht akute në qendrat kryesore akademike si Tetova, Shkupi, Shtipi, Manastiri, ku studentët shpesh udhëtojnë çdo ditë për ligjërata universitare.
“Hulumtimet tona kanë treguar se 25 mijë studentë, që janë në ciklin e parë të studimeve, prej tyre gjysma janë studentë që nuk janë nga Shkupi, pra, atyre u duhet të udhëtojnë çdo ditë ose të kthehen në qytetin prej nga vijnë, të paktën në fundjavë, ndërsa çmimet janë ekstrem të larta. Sipas hulumtimeve tona, studentëve për një ditë u duhet të harxhojnë rreth 500 denarë për të udhëtuar dhe ndjekur studimet, në ligjëratat edhe në studimet private dhe publike në vend.”, - deklaroi Bledi Hodai nga “Forumi për ndryshime në arsim”.
MASh: Është duke u hartuar ligj i ri, Aliu: Kjo çështje do të rregullohet
Zëvendësministri iArsimit, Lulzim Aliu, tha se problemi i transportit të studentëve do të zgjidhet së shpejti, pasi aktualisht është duke u hartuar ligj që rregullon këtë çështje dhe i njëjti është në fazën përfundimtare.
“Tani është në fazë të punës, pra në fazën përfundimtare hartimi i Ligjit për arsimin e lartë, Ligji për standardin studentor dhe të nxënësve, në të cilin do të parashihen mjete për çështjen e transportit, por duhet të mbajmë llogari nëse këto ligje do të jenë gjithëpërfshirëse për të gjitha qytetet dhe universitetet, qofshin ato shtetërore apo publike dhe nuk duhet të jetë vetëm universiteti më i madh siç është “Shën Kirili dhe Metodi”, me numër më të madh studentësh, por do të jetë inkorporuese për universitetet edhe në qytetet tjera.”, - theksoi zëvendëskryeministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
Nëse nuk do të rregullohet problemi i biletave të udhëtimit me çmim më të ulët për studentët, ata paralajmëruan protesta para MASh-it dhe godinës së Qeverisë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
