Maqedoni
Rasti “Alfa”, vendimi i Penales do të ankimohet
19.12.2024 17:40
Vendimi i Gjykatës Penale për të mos hapur procedurë për rigjykimin...

Vendimi i Gjykatës Penale për të mos hapur procedurë për rigjykimin e rastit "Alfa" edhe pse kishte kërkuar një super-ekspertizë të videos jashtë shtetit, ka nxitur reagime të ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga. Thekson se Kodi i Procedurës Penale të RMV-së parasheh se për rastet kur nuk ka ekspertizë të nevojshme brenda Maqedonisë, ajo mund bëhet jashtë shtetit.
"Vetëm përjashtimisht mund të përcaktohet si ekspert një person që banon jashtë vendit ose një institucion i huaj profesional, i cili sipas ligjeve të vendit përkatës plotëson kushtet për kryerjen e ekspertizës, nëse në Republikën e Maqedonisë nuk ekziston një institucion i arsimit të lartë, shkencor ose profesional, një tregtar i pavarur – ekspert ose një shoqëri tregtare e regjistruar për kryerjen e ekspertizës për llojin e caktuar të analizës. Kjo situatë ilustron qartë një shembull të absurditetit juridik dhe mungesës së koherencës në zbatimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut. Pyetja mbetet: si mund të pranohet një vendim mbi bazën e të njëjtave rrethana juridike dhe ekspertiza, por me rezultate dhe qëndrime diametralisht të kundërta?”.
Ekspertiza e re e realizuar për rastin "Alfa" e që është punuar në Qendrës për forenzikë dhe analizë në Serbi, tregon se të dënuarit me burg të përjetshëm për vrasjen e ndodhur në vitin 2008 janë të pafajshëm. Drejtori i Qendrës për forenzikë dhe analizë, Nenad Shipka, në vitin 2021 kur dhe u dorëzua kërkesa për rigjykim, kishte deklaruar se gjatë procedurës janë bërë lëshime dhe shkelje ligjore dhe se plotësohen kushtet që rasti të ketë rigjykim.
Ekspertiza e re e video-incizimit nga oborri i fakultetit matematiko-natyror në Shkup tregon pamje të qarta me detaje të cilat më herët kanë qenë të paqarta, për shkak të cilësisë së dobët të incizimit, ishte shprehur Shipka. Për vendimin e Penales, mbrojtja ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
I dënuari Agim Islami, i cili ka 17 vjet në burg, ndërsa pretendon pafajësinë, vazhdon të mbetet prapa grilave. Më 22 janar të vitit 2022, Rexhail Qerimi, i cili, gjithashtu ishte i dënuar për këtë rast ndërroi jetë në burgun e Idrizovës.
FLORIJE KAMBERI
