Mayweather fitues në “betejën e shekullit” në boks
Boksieri amerikan, Floyd Mayweather, është kampioni i unifikuar i boksit botëror, pasi mposhti në “duelin e shekullit” boksierin filipinas, Manny Pacquiao...

Duke shfrytëzuar superioritetin prej 10 cm më shumë gjatësi, gjë që e ndihmoi të siguronte pikët e para dhe të shpejta prej grushteve të lëshuara, por edhe tipin specifik të mbrojtjes me anë të supeve, në mënyrë që të shmangte dëmtimin nga e brendshmja, Floyd Mayweather mposhti me pikë; me rezultat unanim të referëve, Manny Pacquiaon, pas 12 raundesh, në sfidën për titullin botëror të peshave të lehta. Sfida e zhvilluar në “MGM Grand Garden Arena” të Las Vegasit tërhoqi një vëmendje të jashtëzakonshme, për të cilën biletat ishin shitur deri në 350 mijë dollarë, ndërkohë që amerikanët që kanë dashur ta ndjekin nga televizori, është dashur t`a paguajnë rreth 100 dollarë.
Mayweather, 38 vjeç, mbetet ende i pamposhtur në 48 ndeshje si boksier profesionist, duke koleksionuar ndër to 26 triumfe me “knock out”.
Ndërkohë, rivali i tij 36-vjeçar, Pacquiao, pësoi humbjen e shtatë në karrierë, gjatë së cilës ka arritur edhe 57 fitore e 2 barazime.
Pacquiao në fakt zbriti në ringun e boksit me një buzëqeshje thuajse ironike dhe tepër i rehatuar, sikur të ishte duke shkuar në ndonjë “party”, ndërsa Mayweather u shfaq më serioz dhe tepër i mbyllur në vetvete, sikur të ishte duke u futur në çështjen më të rëndësishme të biznesit në jetën e tij.
Sfida ishte tepër e dyluftuar, edhe pse jo ndër më të mëdhatë që mund të jenë parë ndonjëherë. Sipas specialistëve, Mayweather ka qenë fitues në 7 raunde, 2 shkuan për Pacquiaon, ndërsa 3 ishin thuajse të barabarta. E megjithatë, pompoziteti i dhënë përpara saj, ndoshta edhe ishte i tepruar, krahasuar me atë çfarë dhanë në ring dy boksierët, në këtë sfidë e cila u cilësua edhe si “beteja e shekullit” në boks.
