Cilësia e ajrit, Shkupi, sot qyteti më i ndotur në Evropë

20.12.2024 14:06

Sipas të dhënave të platformës së specializuar....

Sipas të dhënave të platformës së specializuar për matjen e cilësisë së ajrit, IQAir, kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, sot në mëngjes është qyteti më i ndotur në Evropë dhe i 10-ti në listën botërore.

I pari në listën e qyteteve më të ndotura në botë është Delhi në Indi, i ndjekur nga Lahore në Pakistan, Akra në Gana, Bagdad në Irak, Kabul në Afganistan, Uhan dhe Cengdu në Kinë, Dhaka në Bangladesh dhe Shkupi në vendin e nëntë, me indeks të ndotjes 165. Ndotja e ajrit ka përplasur pushtetin dhe opozitën.

LSDM: Qeveria nuk po ndërmerr gjë për uljen e ndotjes

Sipas LSDM-së, Qeveria nuk po ndërmerr masa për ta ulur atë, madje akuzojnë VMRO-DPMNE-në se nuk kanë pranuar asnjë amendament të LSDM-së kundër ndotjes.

“Banka Botërore paralajmëron se çdo vit nga ajri i ndotur vdesin rreth 2.800 banorë të Maqedonisë, ndërsa më të prekurit janë qytetarët e Shkupit dhe Tetovës. Përderisa Shkupi këto ditë është sërish ndër qytetet më të ndotura në Evropë, dhe shkupjanët po ngulfaten, Qeveria e Mickoskit dhe DPMNE-ja nuk po ndërmarrin asgjë për të ulur ndotjen.”.

VMRO-DPMNE: LSDM-ja për 7 vite nuk bëri gjë për ndotjen

Por, VMRO-DPMNE-ja thotë se LSDM-ja po vazhdon me gënjeshtra. Sipas tyre, ata për 7 vite nuk kanë bërë asgjë për uljen e ndotjes.

“LSD-ja, e cila kishte pushtet të plotë me një shumicë cilësore për shtatë vjet, nuk bëri asgjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Në vend që të fokusohen në zgjidhjen e problemeve të ndotjes, infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, pagave dhe pensioneve, ata zgjodhën të jenë shërbëtorë të BDI-së dhe Artan Grubit, duke e tërhequr shtetin në korrupsion dhe kolaps institucional.”.

Dhjetë ditë më parë në kryeqytet u zhvillua një marsh proteste kundër ndotjes së ajrit të organizuar nga Nisma “Qyteti i Gjelbër Human”. Ata kërkojnë një trajtim të menjëhershëm dhe sistematik të ndotjes së ajrit përmes zbatimit të masave efikase që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve. (Fitim Kryeziu, TVM2)