Sulmet në Ukrainë, është goditur Ambasada e RMV-së, MPJ: S’ka të lënduar, vetëm dëme materiale

20.12.2024 14:53

Nuk raportohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale...

Nga një sulm raketor është goditur Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kiev. Nuk raportohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale, konfirmojnë nga Ministria e Jashtme, e cila dënon ashpër sulmet e ushtrisë ruse ndaj kryeqytetit të Ukrainës. Njoftojnë se tashmë ka filluar riparimi i dëmeve të ambasadës.

“Informojmë se gjatë sulmit është prekur edhe infrastruktura kritike në rajonin e Holosejevit, duke përfshirë edhe ndërtesën ku ndodhen gjashtë ambasada, përfshirë edhe Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kiev. Asnjë personel diplomatik nuk u lëndua gjatë sulmit, por dëme materiale janë shkaktuar në Ambasadë. Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre.”,  thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Herët në mëngjes, mediat botërore kanë raportuar  një sërë sulmesh me raketa të kryera në Kiev, duke shkaktuar dëme materiale në të gjithë kryeqytetin e Ukrainës. Edhe kryetari  i  qytetit të  Kievit ka  konfirmuar regjistrimin e  disa shpërthimeve  në disa lokacione në qytet, si dhe se mbetjet e granatës së rënë në zonën e Kholostivit, ku për pasojë janë djegur  disa makina. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)