Durmishi: Qytetarët të paraqesin moszbatimin e masave

20.12.2024 15:26

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi...

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, doli nga afër për të shikuar se a thua vallë në marketet më të mëdha në vend po respektohet masa për uljen e çmimeve të disa produkteve ushqimore, e të cilat përfshihen nga shporta e re për festat e fundvitit. Sipas Durmishit, ndonëse për një periudhë të shkurtër, me këtë janë përfshirë mbi 95 tregtarë në 42 rrjetet e marketeve, me çka ka sjellë që numri i produkteve të përfshira në këtë masë ka arritur numrin 1.900 produkte.

Ministri Durmishi u kërkoi tregtarëve të cilët nuk e zbatojnë këtë masë, që ta bëjnë të njëjtën, sepse në të kundërtën do të përballen me gjoba të larta.

“Dua që të apeloj deri tek të gjithë tregtarët, që të vazhdojnë dhe ta respektojnë këtë masë deri sa të përfundojë më 15 janar. Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren, do të bëjë kontrolle të vazhdueshme se a do të respektohet kjo masë apo jo nga vet tregtarët, të cilët kanë qenë ato vet të cilët e kanë propozuar dhe ka qenë e përkrahur nga ana e Qeverisë. Me të vërtet kemi ulje të çmimeve, Inspektorati i Tregut do të veprojë në bazë të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

Stojkoski: Masa do të ndërmerren për të gjithë shitësit

Ndërsa edhe sipas drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, subjektet e mëdha siç janë rrjetet e marketeve në masë të madhe janë duke e respektuar masën, ndërsa tek shitësit e vegjël nëpër lagje, nëse vërehet një gjë e tillë, masa do të ketë edhe për ato. 

“Mund të them se përpos disa lëshimeve të vogla, në kuptim të ngjitësve të çmimeve, parregullsi të tjera nuk janë shënuar dhe në masë të madhe janë duke e respektuar atë për të cilën jemi dakorduar. Nga ana tjetër, kemi edhe qytetarë të cilët kanë pasur reagime se çmimet nuk janë korrigjuar, për çka ne si inspektorat kemi vepruar.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski.

Ministri gjithashtu kërkoi nga qytetarët të paraqesin çdo mosrespektim të masës në numrin e telefonit 191. Nga ana tjetër, qytetarët vazhdojnë të ankohen për çmime të larta të produkteve ushqimore, ku sipas drejtorit të Inspektoratit, ndaj çdo vërejtjeje nga qytetarët, inspektorati vepron. (Fitim Kryeziu, TVM2)