Maqedoni
Kuvend, deklarata solemne e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve
20.12.2024 15:43
Në deklaratën solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi...
Në deklaratën solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor, Ariton Ala dhe Danka Ristova, u zotuan se do të punojnë me përkushtim për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor. Para Këshillit Gjyqësor ka një sfidë të madhe, që të mundësohet funksionim i papenguar i gjykatave, u tha me këtë rast.
“Kërkova prej tyre që të veprojnë në bazë të parimeve të drejtësisë, të sinqeritetit dhe të ndershmërisë. Uroj që kjo përbërje e Këshillit Gjyqësor të marrë vendime të drejta në interes të të gjithë qytetarëve, mbi të gjitha në interes të drejtësisë në vend.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
“Theksoj se do të kontribuojë për përmirësimin e gjyqësorit, shtetit juridik dhe kthimin e sigurisë juridike te qytetarët. Do të punojmë që në gjykata të ketë më shumë kuadro në kuptimin e asaj të ketë më shumë gjykatës dhe bashkëpunëtorë profesionistë.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Ariton Ala.
Zgjedhja e Ristovës, e cila është gjyqtare e Apelit të Shtipit, shkaktoi reagime në opinion sepse ajo është bashkëshorte e një kryetari të komunës nga radhët e VMRO-DPMNE-së në pushtet. Në këtë drejtim, Ristova tha se ka më shumë se 30 vite që punon në gjyqësor dhe nuk lë vend për ndikime politike në punën e saj.
“Nëse publikut nuk i mjafton përvoja ime 34-vjeçare në gjyqësor, nga punonjëse vullnetare deri në gjykatëse e Apelit, nuk kam më tej çfarë të shtoj. Ndikimi nuk mund të përjashtohet asnjëherë. Me rëndësi është se si ndikohet dhe a mund ajo të arrijë deri tek gjykatësi dhe se a mund të jetë i suksesshëm.”, - u shpreh anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Danka Ristova.
Paraprakisht, deklaratë solemne para kryeparlamentarit Gashi dha edhe anëtari i ri i Këshillit të Prokurorëve, Adrian Demiri, i cili theksoi se synim kanë pavarësimin e Prokurorisë, detyrë kjo që kërkon qasje serioze. Nuk komentoi akuzat se ai është pjesë e kuadrit të VLEN-it.
“Jo, nuk komentoj akuza dhe deklarata politike. Unë ashtu siç e theksova edhe më herët, vij nga radhët e avokatëve. Unë 20 vitet e fundit ushtroj profesionin avokat me një zyrë timen private dhe për këto vite nëpërmjet shërbimeve të mija kanë kaluar figura të rëndësishme, më pak të rëndësishme dhe nuk do t'i kisha komentuar këto akuza. Theksoj se kompetenca dhe profesionalizmi është në ushtrimin e funksionit dhe kjo është një çështje që me kalimin e kohës do ta vërtetojmë.”, - theksoi anëtari i Këshillit të Prokurorëve, Adrian Demiri.
Gjyqësori së fundmi është në tapet të kritikave për shkak të besimit shumë të ulët të qytetarëve në këto institucione, ndërsa nuk kanë munguar edhe reagimet dhe kritikat e ndërkombëtarëve. E fundit rezultoi me futjen e gjykatësit të Apelit, Enver Bexheti, në Listë të Zezë të ShBA-së.
FLORIJE KAMBERI
