Juventusi kampion i Italisë për herë të katërt në seri

03.05.2015 15:52

Juventusi është shpallur kampion i Italisë për sezonin 2014/2015, katër javë para përfundimit të kampionatit në Serie A...

Që kur ia mori kreun Romës gjatë sezonit, Zonja e Vjetër në asnjë moment nuk e ka pasur të rrezikuar kurorëzimin me Scudetton e katërt radhazi.

Shpallja matematikore si kampion për këtë edicion, erdhi pas fitores prej 1-0 në udhëtim te Sampdoria.

Arturo Vidal shënoi golin me vlerën tri pikë, pas një harkimi të mirë nga Stephan Lichtsteiner (32’) dhe ky gol mjaftoi që Juve të arrinte kuotën e paarritshme të pikëve. Ky është titulli i 31-të zyrtar i Juventusit në Serie A, ndërkohë që bardhezinjtë e kanë fituar edhe dy herë të tjera titullin në fushë, porse ato trofe i janë marrë nga Federata Italiane e Futbollit pas skandalit Calciopoli.

Këtë vit është thënë se gjasat janë të mëdha që titujt t’i kthehen. Ndryshe, Juve vazhdon të jetë në garë për tre tituj këtë sezon – pasi luan edhe në finale të Kupës së Italisë (kundër Lazios) dhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (kundër Real Madridit).