Maqedoni
Akuzat ndaj Grubit, avokati mbrojtës mohon fajësinë, BDI: Luftimi i krimit të jetë gjithëpërfshirës
20.12.2024 16:34
Vlladimir Donevski, avokati mbrojtës i ish-zëvendës kryeministrit, Artan Grubi...

Vlladimir Donevski, avokati mbrojtës i ish-zëvendës kryeministrit, Artan Grubi, shfajëson Grubin nga akuzat. Në një njoftim me shkrim për media, Donevski thotë se argumentet për pafajësi do të prezantohen përgjatë procesit gjyqësor, ndërkohë që fton institucionet të vendosin në bazë të dëshmive të qarta juridike edhe përkundër erërave politike që fryjnë mbi procesin.
“Pas vërtetimit të asaj që disponon gjykata dhe analizës së argumenteve të Prokurorisë Publike, sipas nesh nuk ka baza për dyshimeve për vepër të kryer penale të parashikuar me ligj. Mbrojtja dhe të gjitha argumentet do të shpalosen në procedurë gjyqësore, me qëllim që të bindet gjykata dhe prokuroria se nuk ka vepër penale në veprimet për të cilat fajësohet Artan Grubi.”, njofton avokati mbrojtës, Vlladimir Donevski.
Nga BDI-ja madje kanë kërkuar që procesi i luftimit të krimit dhe korrupsionit të jetë gjithëpërfshirës dhe joselektiv, duke piketuar ish-zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev. Sipas integristëve, me drejtësi selektive thellohen ndasitë etnike.
“Shembulli më i qartë i një drejtësie të paplotë është figura e ish-zëvendëskryeministrit, Koço Angjushev, i cili, ndonëse i futur në listë të zezë, vazhdon të zhvillojë bizneset e tij “më mirë se kurrë”. Nëse institucionet janë të përkushtuara ndaj drejtësisë, atëherë edhe ai duhet të jetë pjesë e këtij procesi, sepse drejtësia selektive krijon përshtypjen e një gjuetie politike dhe supremacie etnike.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
VMRO-DPMNE: BDI-ja, bashkëpunëtore e Koço Angjushevit
Por, VMRO-DPMNE-ja konsideron se për bizneset e Koço Angjushevit, BDI-ja duhet të pyesë vetë atë, të cilit i jepnin tenderë përderisa shqiptarët po braktisnin shtetin.
“Ftojmë BDI-në që në vend të komunikatave konfuze, të pyesin ministrin e tyre të koalicionit, por edhe mik Koço Angjushevin, me të cilin rrejshëm nisën bisedimet me BE-në, ndërruan emrin e shtetit, i jepnin tenderë për spitalin modular në Tetovë dhe u lulëzonte biznesi. Vetë të konsultohen me të dhe njëkohësisht të ftojnë Artanin që të vijë dhe përballet me drejtësinë, në vend se të fshihet me paratë e vjedhura nga shqiptarët, maqedonasit dhe të tjerët.”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
LSDM: Polici lëshoi Grubin me porosi të Toshkovskit
Ndërkohë LSDM-ja shpalos informacione se polici në Bllacë, i cili ka lëshuar Grubin të kalojë kufirin, me urdhër të Toshkovskit është transferuar nga stacioni policor i Çashkës muajin e shkuar.
“Ky njeri, a është sjellur në Bllacë me paramendimin për të kryer ndonjë detyrë për Toshkovskin? Sipas informacioneve ky zyrtar policor, në të kaluarën është promovuar dhe lëvizur nga VMRO-DPMNE-ja, ndërkaq posedon histori të shumë shkeljeve në vendin e punës.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Socialdemokratët për partizimin e kufirit verior të shtetit, ku sipas tyre kalojnë kriminelët, fajësojnë Toshkovskin. Nga ai kërkojnë dorëheqje.
MERAL ISMAILI
