Maqedoni

Kuvend, Qeveria tërheq propozim-ligjin për arsim të mesëm

20.12.2024 16:51

Qeveria tërhoqi nga procedura parlamentare projektligjin...

Qeveria tërhoqi nga procedura parlamentare projektligjin për arsimin e mesëm në lexim të dytë. Këtë e bëri të ditur kryetarja e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport, Ivanka Vasilevska, në seancën e sotme, ku mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
“Me një shkresë të datës 20 dhjetor, Qeveria tërheq projektligjin për arsimin e mesëm, në lexim të dytë.” - theksoi kryetarja e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Sport, Ivanka Vasilevska.
 
Nga Fronti Evropian u shprehën të kënaqur me tërheqjen e ligjit, duke theksuar se nuk janë pajtuar me disa qëndrime në këtë ligj, veçanërisht me nenin 54 që parashikonte këndimin e himnit shtetëror në shënimin e ditës së shkollës së mesme, si dhe në fillim dhe në fund të vitit shkollor.
 
“E përshëndes këtë kthjellim të Qeverisë dhe të MASh-it dhe padyshim dua të them që edhe në të ardhmen do të duhet që ligjet që janë të karakterit të kësaj natyre, por edhe ligjet tjera duhet të përmbajnë një debat shumë më të gjerë.  Jam e lumtur pa dyshim që u kuptua se gjërat nuk ndërtohen nga kulmi, por duhet të ndërtohen nga baza dhe unë besoj që kjo ka qenë arsyeja që është tërhequr ligji.”, - deklaroi Ilire Dauti nga Fronti Evropian. 
 
Tërheqja e propozim-ligjit, VLEN: U dëshmua se jemi faktor kyç për shqiptarët
 
Nga VLEN-ni thonë se u dëshmua edhe njëherë se janë faktori kyç për mbrojtjen e interesave shqiptare.
 
“Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej parashtruam amendamente. Si rezultat kemi tërheqjen e ligjit nga ana e Qeverisë. VLEN-i është garancia që ligje të njëanshme, sikurse ato të mbështetura nga BDI-ja në të kaluarën, nuk do të kalojnë më.”, theksojnë nga VLEN.
 
BDI: Ligji u ndalua nga rezistenca e popullit
 
Ndërkohë edhe nga BDI-ja deklarohen se janë meritorë për tërheqjen e  këtij ligji sipas të cilëve provokonte shqiptarët. 
 
“Është për të qeshur kur VLEN-i pretendon “fitore” për një ligj që vetë e miratoi në Qeveri dhe më pas e lejoi në Kuvend. Si mund të ndalosh diçka që vetë e ke mbështetur? E vërteta është e qartë: ky ligj u ndalua nga rezistenca e popullit dhe Frontit Evropian, jo nga “trimëria” e një partie që ka humbur çdo kredibilitet.”.
 
Ndryshe, në Ligjin për arsim të mesëm që u propozua së fundi, parashihej që të intonohej himni maqedonas nga nxënësit në çdo fillim dhe përfundim të vitit shkollor. 
 
ERSAN PAJAZITI