Maqedoni
Disa lagje të Shkupit pa ujë prej orës 22:00, kompetentët me rekomandime për banorët
20.12.2024 17:08
Një pjesë e madhe e Shkupit prej sonte do të mbetet pa ujë...

Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” njoftoi se do të mbyllet gypi me qëllim që gjatë fundjavës të riparohet defekti në Karposh, ku me ditë të tëra rrjedh ujë në rrugë.
“Qëllimi kryesor i këtij plani operativ është përmirësimi i furnizimit me ujë dhe rregullimi i presionit të ujit në komunat e Gjorçe Petrovit dhe Karposhit. Po riparojmë gjashtë segmente ku dekadave të fundit është detektuar problem dhe është vërejtur humbje e madhe e ujit.”, thuhet në njoftimin e Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.
Qytetarët kanë nisur ta bëjnë furnizimin e ujit duke mbushur ujë me bidonë apo edhe duke blerë nëpër markete ujë të pijshëm.
“Mendoj se jemi përgatitur me ujë. Mjaftueshëm kemi mbushur.”, - tha një qytetar.
“Sa kam mundur, sa kam pasur shishe e gjëra për të mbushur. Jemi përgatitur. Mirë që na informuan me kohë.”, - tha një qytetare.
“Do të mbush në shtëpi, ndoshta do t’i blejë edhe disa shishe deri pasdite.”, - tha një qytetare tjetër.
“Siguruam ujë, do të mbushin edhe më shumë në shtëpi dhe do të sigurojmë mjaftueshëm ujë. Do të kalojë shpejt, nuk do të zgjasë gjatë.”, - u shpreh një qytetare.
“U përgatitëm, pse jo. Nuk është diçka tragjike dhe gjë e madhe. Do të mbushim shishe, për të pirë do të blejmë, nuk do të zgjasë 1 muaj kjo gjendje.”, - tha një qytetar.
Mungesa e ujit do të ndikojë në pengesën e funksionimit normal në shumë sektorë, duke përfshirë edhe punën e spitaleve.
“Veç më kemi siguruar ujë nga donacioni që na u është bërë. Qendra Klinike do të jetë e gjitha e furnizuar, por jemi të detyruar të reduktojmë numrin e intervenimeve, por normale jo për rastet urgjente. Mendoj se jemi mobilizuar mjaftueshëm dhe gjithçka do të shkojë mirë dhe do ta tejkalojmë këtë pengesë të mungesës së ujit.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Javën e kaluar në bashkëpunim me shërbimet e brendshme dhe të jashtme, klinika është përgatitur për punë pa pengesa, si në klinikat e tjera po ashtu edhe në Klinikën për reanimacion intensiv, sidomos tani me paraqitjen e mungesës së ujit.”, - deklaroi drejtoresha e Urgjencës, Marija Sërceva.
Në periudhë festash dhe përgatitjesh për festën e Vitit të Ri, mungesa e ujit do ta dëmtojë edhe sektorin e turizmit dhe hotelerisë.
“Nëse kjo mungesë e ujit do të tejkalohet deri nesër në mbrëmje, nuk do të ketë asnjë problem. Mirëpo nëse do të ndodhë të zgjasë disa ditë kjo mungesë, atëherë do të kemi problem serioz, sepse gastronomia, restorantet, hotelet tani e kanë periudhën e fitimit, në janar, shkurt e andej nuk kanë aq punë dhe faktikisht me këtë fitim gjatë këtyre ditëve ata i mbulojnë muajt kur nuk kanë punë dhe fitim. Nëse ndodhin kështu problemesh, atëherë do të shkojë në dëm të tyre.”, - theksoi kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Arkan Kerim.
Qytetarët nuk do të kenë ujë kryesisht në anën e djathtë të lumit Vardar, duke filluar nga PS “Planet” në Gjorçe Petrov, pastaj në Porta Vllae, Karposh, Taftalixhe, Vodno, Qendër, Kisella Vodë, Draçevë, Pintija, 11 tetori, Lisiçe, Novo Lisiçe, Aerodrom, Autokomandë (zona e ulët), deri në Zelenikovë dhe Studeniçan, ndërsa mungesë të ujit nuk do të kenë lagjet, si Çairi, Buteli, Radishani, etj.
FITORE DEMOLLI
