Botë
Mbledhje e kuvendeve Shqipëri-Kosovë, Osmani: Po rrezikohen të drejtat e shqiptarëve në RMV
20.12.2024 18:15
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur shqetësimin...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur shqetësimin për tendencat e destabilizimit dhe uljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo këtë shqetësim e ka ngritur në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, që u mbajt në Prishtinë, e cila u drejtua nga kryeparlamentarët, Elisa Spiropali dhe Glauk Konjufca.
“Akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, si popull konstituiv i Maqedonisë së Veriut. Ne nuk duhet të qëndrojmë të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kurti: Shqiptarët nën Serbi, të diskriminuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ndal te diskriminimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuari në Evropë, prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autokton. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës 4 milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Rama: Shqipëria e Kosova krah për krah në NATO e BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke cituar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se vendi i Shqipërisë dhe Kosovës është në NATO dhe BE, si dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në.
“Këto fjalë kaq të thjeshta në dukje janë gjithçka që në fakt na duhet dhe na mjafton për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar me familjen e madhe evropiane të dy shteteve tona, si dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”. Por, ndërkohë që Shqipëria ecën me hapa të shpejtë e të pangadalshëm në udhëtimin e saj për t’u bashkuar me Evropën, parafytyrojeni se sa më krenarë do t’i bënim të gjithë shqiptarët anembanë, se çfarë vlere më të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë kudo ku shqiptarët jetojnë, sikur në këtë udhëtim të ishim krahë për krahë me Kosovën.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri Rama foli edhe për ish-krerët e UÇK-së të cilët aktualisht ndodhen në Hagë, duke theksuar se procesi gjyqësor atje është një proces i parregullt ligjor dhe normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate, prandaj ftoi Kuvendin e Kosovës që ta miratojë një rezolutë për këtë, të cilën Rama u zotua se do ta miratojë më pas edhe Kuvendi i Shqipërisë.
GYLTENE SINANI
