Maqedoni
Shkupi pa ujë, qytetarët kanë siguruar rezerva uji
21.12.2024 14:24
Banorët e Shkupit janë furnizuar me rezerva uji, pas paralajmërimeve të një ditë më parë për ndërprerjen e ujit...

Banorët e Shkupit janë furnizuar me rezerva uji, pas paralajmërimeve të një ditë më parë për ndërprerjen e ujit. Një pjesë e madhe e Shkupit për shkak të planit kompleks operativ për riparimin e tubacionit kryesor, ka mbetur pa ujë. Autoritetet sigurojnë se sanimi do të përfundojë për maksimum 15 orë. Sipas informacioneve nga “Ujësjellës dhe Kanalizime” pa ujë do të jenë pjesa më e madhe e vendbanimeve në qytet. Për riparimin e defektit do të ndërpritet furnizimi me ujë nga tubacioni kryesor i qytetit F-1600 dhe njoftuan se është hartuar një plan operativ me të cilin parashikohet një procedurë e saktë për të përfunduar me shpejtësi dhe efikasitet këtë ndërhyrje. Për shkak të sanimit të paralajmëruar, është vërejtur rritje e shitjes së ujit në markete.
“Nuk ka ndonjë problem për shkak se kemi mbushur ujë, menjëherë si na njoftuan se nuk do të ketë. Ndoshta për faktin që e dimë se do të vijë uji pas disa orëve dhe nuk ndjehemi të brengosur, jemi përgatitur.”, u shpreh një qytetare.
“Kemi mbushur ujë për sot dhe nesër, ta shohim tani sa do të zgjasë riparimi i defektit.”, tha një qytetare.
“Nuk e di sa kanë zakone higjienike shkupjanët. Shumë njerëz edhe kur ka ujë nuk mbajë higjienë, prandaj për një ditë mungesë uji besoj se nuk përbën problem për pjesën dërrmuese.”, u shpreh një qytetar.
“Mendoj se do të sanohet shpejt defekti dhe kam mbushur ujë paraprakisht.”, tha një qytetare.
“Mendoj se të gjithë janë të pajisur me ujë. Por ajo që më shqetëson është se sa kohë pastrohet uji pasi të lëshohet. Kur mund ta shfrytëzojmë pyes, sidomos për të pirë?”, u shpreh një qytetare.
IShP apel qytetarëve: Mos konsumoni ujë menjëherë pas lëshimit!
Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik bëri rekomandime për përgatitjet e qytetarëve, institucioneve shëndetësore dhe objekteve gastronomike pasi të nis furnizimi më ujë. Sipas Institutit rreziqet ndaj shëndetit mund të paraqiten jo vetëm gjatë mungesës së ujit, por edhe pas lëshimit në përdorim të ujit të pijshëm në rrjetin e ujësjellësit, përkatësisht pas riparimit të defektit. Si masë kujdesi, Instituti i Shëndetit Publik apelon që qytetarët të mos e konsumojnë ujin menjëherë pas lëshimit në rrjetin e ujësjellësit deri në 1 orë. Mund të pritet që uji të ndryshojë ngjyrën dhe është e domosdoshme që të lihet rrjedhja e ujit nga çezmat për disa minuta.
FARIJE DAURI BAKIU
