Maqedoni
Largimi i Artan Grubit, Mexhiti: Fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë
21.12.2024 15:05
Largimi i Artan Grubit vazhdon të jetë në opinion akoma ndër temat më të diskutueshme...

Largimi i Artan Grubit vazhdon të jetë në opinion akoma ndër temat më të diskutueshme. Zëvendës Kryeministri i Qeverisë Izet Mexhiti theksoi se po qarkullojnë shumë informacione rreth vend-ndodhjes së Artan Grubit, por fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë dhe të rrendit.
“Tashmë ka shumë informacione, por me rëndësi është që politika ka dhënë porosi se askush nuk është mbi ligjin, dhe çdokush që e ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet, ndërsa lufta ndaj korrupsionit do të jetë e pa kompromis, ndërsa puna tjetër i mbetet MPB dhe organeve të drejtësisë të merren me këtë çështje. Por me rrëndësi është se po kthehet shteti ligjor, dhe po vjen era shtet.”, tha zëvendës kryeministri i Qeverisë, Izet Mexhiti.
Përplasen LSDM dhe VMRO – DPMNE
Ndërkohë Partia Social Demokrate e Maqedonisë ka ngritur dyshime të reja, dhe pyet zyrtarisht partinë e Mickovskit, a ishin pikërisht këto që lejuan të largohet Grubi nga vendi, dhe se a është kjo marrëveshje në mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
“Për dallim nga DPMNE, LSDM nuk do të pretendojë të jetë gjykatës apo prokuror, nëse ka informacione për keqpërdorime nga ndokush, ka institucione dhe organe kompetente që duhet të veprojnë në procedurë ligjore. Por pyetja kyçe është pse, nëse e dinin, e lanë Grubin të kalonte lirisht kufirin? A vlen kaq kontrata e BDI-së me DPMNE-në, e cila ende nuk ka dorëzuar fatura? DPMNE nuk ka çfarë të thotë për faktin se e kanë lejuar Grubin të largohet lirisht nga vendi përmes pikës kufitare Bllacë. DPMNE e reduktoi kufirin me Kosovën në një zgjidhje për kalimin e lirë të kriminelëve dhe terroristëve. Në vend të konferencave qesharake për shtyp, DPMNE duhet të thërrasë Toshkovskin të marrë përgjegjësi dhe të japë dorëheqje.”, thuhet në Komunikatën e LSDM-së.
Por nga VMRO-DPMNE deputeti I kësaj partie Brane Petrushevski, theksoi se ishte vet LSDM-ja e cila lejoi që Artan Grubi siç thanë “ta vidhte shtetin”, me të vetmin qëllim, që ato të udhëheqin me vendin edhe një ditë më shumë.
“LSDM-ja qëllimisht e lejoi Artan Grubin që ta vjedhë shtetin, me qëllim që ato të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të vendit edhe ndonjë ditë më shumë. LSDM duhet të dalë dhe t’ju kërkojnë falje qytetarëve që heshtën, derisa Artan Grubi bëntë veprime kriminale, që kushtonin miliona. Ato jo që heshtën, por funksionarët e kësaj partie, ju bashkangjitën krimeve të tij, siç është rasti I Kovaçevskit. LSDM është deri në fyt në krim, dhe në vend të përrallave të lira, duhet të reformohen seriozisht, sepse me kriminel në krye të partisë nuk mund të presin asgjë, përpos edhe disa humbje më të thella.”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
Ndërsa vet Grubi akoma mbetet I pa kapshëm për organet e rrendit, pas akuzave të ngritura ndaj tij, për keqmenaxhim të lotarisë shtetërore.
FITIM KRYEZIU
