Maqedoni
Mesazhi i Samitit të BE-së për vendin tonë, Neziri: S’pati gjë konkrete, por pritet angazhim
21.12.2024 15:43
Samiti i Brukselit për Ballkanin Perëndimor u mbyll me mbrojtjen e qëndrimit se rajoni ynë e ka vendin në familjen e madhe evropiane...

Samiti i Brukselit për Ballkanin Perëndimor u mbyll me mbrojtjen e qëndrimit se rajoni ynë e ka vendin në familjen e madhe evropiane, por, asgjë konkrete për Maqedoninë e Veriut, aspirata integruese e së cilës ka mbetur peng në trupin legjislativ, për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese. Por, megjithatë, analisti politik Xhelal Neziri shpreson se institucionet e BE-së me aktivitetin e shtuar diplomatik do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje kreative, në bazë të së cilës, Sofja nuk do ta pengonte tutje Maqedoninë e Veriut në procesin e hapjes dhe mbylljes së negociatave, e me këtë, RMV-ja t’i bashkohet sërish grupit të parë të vendeve të rajonit për integrim, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Jam optimist se gjatë muajit janar apo fillimit të vitit të ardhshëm do të ketë rrugëdalje nga kjo bllokadë në të cilin u gjet vendi në rrugëtimin e tij për integrim në BE, e kjo do të thotë një zgjidhje kreative në mosmarrëveshjen midis Shkupit dhe Sofjes, e që ajo zgjidhje kreative do të përbënte një lloj garancie se Bullgaria në procesin e mëtejshëm të integrimit në BE në kuadër të negociatave, nuk do të bllokojë më RMV-në.”, u shpreh për TVM2 analisti politik Xhelal Neziri.
Për të arritur në pikën e dëshiruar, një dozë e shtuar e punës duhet të shihet edhe në politikën e brendshme të vendit, thotë Neziri.
“Ajo që duhet bërë është një vendim i guximshëm i qeverisë aktuale që ka 80 vota të deputetëve në parlament, me qëllim që të hap një faqe të re të zhvillimit demokratik të RMV-së, të fus vendin në një fazë të re të evropianizimit.”, tha Neziri për TVM2.
Ndërkohë, në fqiun lindor vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë, gjë e cila pritet nga autoritetet vendore për faktin se siç thonë, krijimin e një ekzekutivi legjitim atje, dhe, me këtë, të kenë një partner serioz për bisedime. Por kryeministri bullgar Gllavçev, gjatë samitit në Bruksel bëri të ditur se Sofja s’ka pse të bisedojë më me Shkupin, pasi që nuk luajnë nga qëndrimi që përputhet me kompromisin e vitit 2022.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
