PREMIER LIGA ANGLEZE

Chelsea edhe zyrtarisht kampion i Anglisë

03.05.2015 16:55

Chelsea është shpallur kampion i Ligës Premier për sezonin 2014/2015...

Qe një kohë të gjatë është ditur se Blutë do të jenë kampionë të Anglisë këtë edicion, ndërsa konfirmimi matematikor erdhi pas fitores prej 1-0 kundër Crystal Palace në Stamford Bridge.

Në pjesën e parë, nikoqirët e patën të vështirë ta thyenin kundërshtarin përkundër se sulmonin me të gjitha forcat. Mirëpo, një ndërhyrje e gabuar e McArthur në Eden Hazard e detyroi arbitrin të akordonte penalti.

Belgu mori përgjegjësinë. Goditjen e tij nga pika e bardhë e ndali portieri Speroni, por Hazard reagoi për ta përmirësuar gabimin (45’).

Në pjesën e dytë, ekipi i Jose Mourinhos e mbrojti rezultatin duke siguruar kështu titullin e pestë në histori të klubit.

Chelsea tash ka 16 pikë më shumë se Arsenali që maksimum mund t’i arrijë 15 pikë nëse i fiton të gjitha ndeshjet e mbetura. Herën e fundit kur ky klub e pati fituar Ligën Premier ishte në sezonin 2009/2010.