Maqedoni

MASH: Nxënësit e komunës së Çashkës gjysëmvjetorin do ta fillojnë në shkollë e re

22.12.2024 14:30

Nxënësit shqiptarë në komunën e Çashkës, gjysmëvjetorin shkollorë do ta fillojnë në objektin e ri shkollor...

Nxënësit shqiptarë në komunën e Çashkës, gjysmëvjetorin shkollorë do ta fillojnë në objektin e ri shkollor dhe me këtë, përfundimisht do të zgjidhet problemi i kamotshëm i shkollës në këtë komunë, njofton zëvendësministri i Arsimit Lulzim Aliu. Nxënësit shqiptarë nuk janë lejuar të ndjekin mësimin në shkollën fillore “Todor Janev” në gjuhën shqipe, por vetëm maqedonisht. Të detyruar, orët mësimore nxënësit i kanë ndjekur në mektebin e xhamisë të fshatit Banjicë. Aliu, njofton se projekti është në fazën përfundimtare.
 
“Dua të potencoj përmbylljen e disa problemeve që janë përcjellur vite me radhë dhe njëri ndër ta është edhe zgjidhja e çështjes së objektit të shkollës në fshatin Banjicë e Poshtëme, në komunën e Çashkës. Disa vite me radhë pushteti paraprak nuk ka patur vullnet për ndërtimin e objektit. Tani jemi në fazën përfundimtare dhe thuaja se është përfunduar ndërtimi i këtij objekti dhe besoj se gjysmëvjetorin e dytë nxënësit do të vazhdojnë mësimin në shkollën e re.”, tha për TVM zëvendësministri i Arsimit Lulzim Aliu.
 
zëvendësministri Aliu, gjithashtu njoftoi se pagat e mësimdhënësve do të rriten edhe vitin e ardhshëm, si dhe shpalosi projektet e realizuara të Ministrisë së Arsimit për vitin 2024, me ndërtimin e disa shkollave të tjera.
 
“Angazhimi ynë është për rritjen e standardit të mësimdhënësve dhe kjo dëshmohet nëpërmjet rritjes së pagës së mësimdhënësve, që në muajin nëntor dhe me pagën e muajit tetor u rrit për 5% dhe detyrimi ynë është rritja e pagave edhe në vitet e ardhshme. Lëshimi në përdorim i shkollës nëntëvjeçare në Jabollçisht e Poshtme. Objekti i ri shkollorë në Vizbeg dhe sigurimi i kuadrit arsimorë që të realizohet mësimi dhe atje mësimi realizohet në objektin e ri shkollor.”, u shpreh Aliu për TVM.
 
Aliu, përmendi si pjesë të suksesit edhe futjen e Abetares mbarëshqiptare për përdorim nëpër shkolla.  Me rebalancin dhe hartimin e buxhetit për vitin 2025, janë paraparë mjete për vazhdimin e punimeve në Gjimnazin “Sami Frashri” në Kumanovë, mjete për rindërtimin e shkollës fillore dhe të mesme në Kërcovë, -tha Aliu. Ai gjithashtu shtoi se: “Angazhohemi maksimalisht që të gjejmë zgjidhje sistemore, duke hartuar ligjet që kanë të bëjnë me arsimin fillore, arsimin e mesëm dhe atë profesional, si dhe ligjin për arsimin e lartë dhe për institucionet hulumtuese.”
 
FARIJE DAUTI BAKIU