Maqedoni

Vdekja e foshnjeve, BDI: Taravari duhet të japë dorheqje!

22.12.2024 15:02

Pasi numri i foshnjave të vdekura në Klinikën e Fëmijëve është duke u rritur Taravari duhet të japë dorëheqje thonë nga BDI..

Pasi numri i foshnjave të vdekura në Klinikën e Fëmijëve është duke u rritur, Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, duhet të japë dorëheqje dhe jo të postohen fotografi nga festimet e fundvitit, thonë nga BDI. Sipas tyre në vend që të ndërmerrte hapa konkretë për të adresuar këtë krizë, Ministri i Shëndetësisë është angazhuar në manovrime partiake se cila parti do dominojë brenda koalicionit VLEN, thonë nga BDI. Sipas tyre është koha për dorëheqje, për hetime serioze dhe për rikthimin e përgjegjësisë në sistemin shëndetësor. 
 
“Në një kohë kur faqet e para të lajmeve raportojnë vdekjen tragjike të 20 fëmijëve në vetëm gjashtë muaj në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, menaxhmenti i kësaj klinike zgjedh të publikojë fotografi nga festimet e fundvitit të paguara me mjetet buxhetore duke e shpallur vitin si të “suksesshëm”. Kjo është një goditje e rëndë për familjet që kanë humbur fëmijët e tyre dhe për qytetarët që presin ndjeshmëri dhe përgjegjësi nga institucionet shëndetësore.”, tha Lejla Emrullai nga BDI.
 
Memedi: Kur BDI ishte në pushtet, vdekja e foshnjave ishte tri herë me e lart
 
Ndërkohë drejtori i Klinikës së Fëmijeve-Shkup, Rexhep Memedi, thotë se në kohën kur BDI-ja ishte në pushtet vdekshmëria e foshnjave ishte tri herë më e lartë.
 
“Vërtetë është për keqardhje që BDI përdor jetët e fëmijëve me qëllim që të defokusoj opinionin nga krimi dhe korrupsioni ku janë zhytur!!! Edhe pse edhe në këtë aspekt faktet janë dëshpëruese për BDI! Në tabelën më poshtë qartë është e dukshme se në vitet e kaluara, kur në pushtet ka qenë BDI, vdekshmëria në Klinikën e fëmijëve ka qenë 2 herë deri edhe 3 herë më e lartë në krahasim me këtë vit! Ka pasur mesatarisht deri 9 vdekje në muaj!”, shkruan drejtori i Klinikës së Fëmijëve Shkup, Rexhep Memedi.
 
Ditë më parë Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, tha se disa drejtorë të spitaleve mund të ndërrohen, nëse vërtetohet se puna nuk funksionon siç duhet, por për këtë duhet të merret vendim korrekt dhe pragmatik duke u bazuar në prova.
 
FARIJE DAUTI BAKIU