Maqedoni

Ikja e të rinjëve nga vendi, Vrenezi: Nuk po investohet te të rinjtë

22.12.2024 15:57

Ikja e trurit të shoqërisë sonë nga vendi mbetet një nga sfidat më të mëdha për të ardhmen e vendit...

Ikja e trurit të shoqërisë sonë nga vendi mbetet një nga sfidat më të mëdha për të ardhmen e vendit, ndërsa aktivistja Arrita Vrenezi thotë se të rinjtë sot nuk largohen nga vendi për një pagë, por për arsye shumë të dhimbshme si gjuha e urrejtjes, kërcënimet e ndryshme, cënimi i të drejtave dhe cilësia e ulët e jetës. Shton se kur sheh se çka ofron bota është shumë e vështirë të ndalesh dhe të kontribuosh për këtë vend. 
 
“Kur t’i jep kaq shumë për vendin, investon në vete, investon në edukim, investon duke paguar taksat e ndryshme dhe vendi nuk të jep asgjë mbrapsht, është shumë e dhimbshme t’i thuash dikujt se duhet besuar dhe duhet të punosh për këtë vend. Dhe me të vërtetë është e padrejtë deri sa kemi një politikë që nuk investon në ne por investon vetëm individualisht e jo kolektivisht, dhe këtë e shohim me ngjarjet e fundit dhe është e dhimbshme për tu thënë. T’i jepet fundi PR-it dhe marketingut se po punohet për të rinjtë, të investohet sinqerisht dhe masovisht në rini, që ata të rinë, të punojnë këtu dhe të investohet në edukim që ata të kenë njohurinë dhe vetëdijen për më shumë aktivizëm.”, u shpreh për TVM2 studentja Arrita Vrenezi.
 
Rexhepi: Ikja e të rinjëve nga vendi gjëja më e dhimbshme
 
Ikja e të rinjëve nga vendi është gjëja më e dhimbshme që mund të ndodh, aktivisti Olti Rexhepi. 
 
“Po të kthehemi për politikën, politikën ne e bëjmë vet, ne jemi ata që e bëjmë politikën, pa marrë parasysh, sepse ne jemi ata që e japim votën për dikë e ata sjellin vendime për neve. Por problemi është i tillë i cili, ata mundohen pasurimin xhepave të tyre. Sigurisht ajo sjell në dëmtimin e madh të shtetit. Por pastaj kur kemi largimin e të rinjve, kur mos të kemi prodhimtari në vendin tonë, si mund të kemi integritet neve. Sepse infrastrukturën apo arsye të tjera që duhet bërë në një vend kush i bën? Dikush i cili nuk ka fuqi dhe energji. Jo do ta bëj i riu i cili jetën e tij apo mundin e tij, dijen e tij do të mundohet gjithmonë ta sjell në vendin e vet, që vendi i vet të ketë integrim sa më të shpejtë.”, u shpreh për TVM2 aktivisti Olti Rexhepi.
 
Arrita dhe Olti u bëjnë thirrje të rinjve që të edukohen dhe zhvillohen jashtë vendit por të gjitha të mirat t’i sjellin në vendin tonë dhe të punohet me gjeneratat tjera në këtë drejtim. Vullneti i politikës, bashkëpunimi dhe aktivizimi i të gjitha strukturave do të sjell një të ardhme më të mirë, porosisin Arrita dhe Olti. 
 
LEONORA KALIQI