Botë

Magdeburg, i dyshuari për sulmin me 5 akuza për vrasje

22.12.2024 18:23

Autoritetet gjermane kanë ngritur aktakuzë për vrasje dhe tentim vrasje ndaj të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjes në qytetin Magdeburg...

Autoritetet gjermane kanë ngritur aktakuzë për vrasje dhe tentim vrasje ndaj të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjes në qytetin Magdeburg, ku u vranë pesë njerëz dhe u plagosën 200 të tjerë, njoftoi policia gjermane.

I dyshuari, i identifikuar si Taleb A në përputhje me ligjin për privatësi në Gjermani ngarkohet me pesë akuza për vrasje, disa akuza për tentim vrasje dhe disa akuza për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, tha policia. Ai u paraqit para gjykatësit të shtunën në mbrëmje, i cili urdhëroi që ai të dërgohet në paraburgim në pritje të gjyqit.

Sipas autoriteteve, i dyshuari i përdori korsitë e lira të emergjencës për ta ngarë veturën me shpejtësi të lartë nëpër tregun e Krishtlindjes të premten, ku i shkeli njerëzit që ishin mbledhur për të festuar. Sulmi shkaktoi tronditje dhe dhimbje jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë botën. Hetuesit thonë se i dyshuari veproi i vetëm, pasi tani për tani nuk ka asnjë tregues se ka pasur ndonjë të përfshirë tjetër, sipas gjetjeve të tyre.