Botë
Protestë e opozitës në Shqipëri, do të bllokohen akset kryesore të Tiranës
23.12.2024 10:55
Opozita në Tiranë do të zhvillojë sot në orën 17:00 protestën e radhës në vijim të asaj që e konsideron...

Opozita në Tiranë do të zhvillojë sot në orën 17:00 protestën e radhës në vijim të asaj që e konsideron si mosbindje civile duke bllokuar akset kryesore të Tiranës. Protesta e sotme do të shënojë dhe herën e parë, pas gati një viti të pjesëmarrjes së kreut të PD-së, Sali Berisha, mes mbështetësve në tubime.
Skenari i opozitës pritet të jetë sërish bllokimi i rrugëve të Tiranës për rreth 3 orë. Konkretisht parashikohet të bllokohen kryqëzime si Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Uilson” dhe nga Pallati me Shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Të shtunën u bë me dije se Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigje organizatorëve të protestës se garanton çdo tubim paqësor, por jo bllokimin e rrugëve dhe se kjo përbën përgjegjësi penale. Policia thotë se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat në kryeqytet.
