Botë
Vazhdojnë protestat në Beograd, Vuçiqi akuzon studentët: Paguheni nga Perëndimi
23.12.2024 11:18
Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë së tij....

Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë së tij. Protesta filloi me një heshtje 15-minutëshe në nderim të viktimave dhe u pasua nga brohoritjet “I keni duart e përgjakura”. Tubime më të vogla u mbajtën edhe në qytetet e Nishit dhe Kragujevcit.
Protestat e javëve të fundit e kanë sfiduar pushtetin e presidentit Vuçiq, kundërshtarët e të cilit e akuzojnë për sundim gjithnjë e më autokratik.
Udhëheqësi serb kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është përballur me akuzat për shkeljen e lirive demokratike dhe ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Ai fillimisht i akuzoi studentët për nisjen e protestave, duke thënë se po paguhen nga Perëndimi, ndërsa më vonë pretendoi se i përmbushi kërkesat e tyre, përfshirë publikimin e dokumentacionit në lidhje me punën e rinovimit në stacionin e trenit në Novi Sad.
Gjatë një ceremonie, presidenti Vuçiq tha se nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të opozitës për një qeveri kalimtare dhe akuzoi kundërshtarët e tij se po shfrytëzojnë studentët për të marrë pushtetin pa zgjedhje.
Në një përpjekje për të penguar protestat, Qeveria e Serbisë ka zgjatur pushimet dimërore të shkollave duke i nisur ato gati një javë më herët. Ditët e fundit të lëvizjes i janë bashkuar edhe më shumë nxënës shkollash të mesme. Dhuna e herëpashershme ka përshkuar protestat ndërsa grupe pro-qeveritare u përpoqën të pengojnë protestat.
