Botë

Izraeli vijon sulmet në Gazë, shënohen mbi 20 viktima

23.12.2024 11:41

Të paktën 20 njerëz, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite gjatë së shtunës në mbrëmje dhe të dielës në mëngjes...

Të paktën 20 njerëz, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite gjatë së shtunës në mbrëmje dhe të dielës në mëngjes, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Një sulm ndaj një shkolle që strehonte njerëz të zhvendosur në qytetin Gaza la të vdekur të paktën tetë njerëz, përfshirë tre fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Mbrojtja Civile, e lidhur me Qeverinë e drejtuar nga Hamasi, tha më herët se katër fëmijë ishin në mesin e të vrarëve. Ushtria izraelite deklaroi se kreu një sulm preciz ndaj militantëve të Hamasit që strehoheshin aty. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
 
Një sulm ndaj një shtëpie në qytetin qendror Deir al-Balah të shtunën vonë la të vdekur të paktën tetë njerëz, përfshirë tri gra dhe dy fëmijë, sipas Spitalit të Martirëve “Al-Aksa”, i cili pranoi trupat e tyre.
 
Një burrë dhe gruaja e tij u vranë në një sulm në qytetin jugor Kan Junis të dielën pak pas mesnatës, sipas spitalit “Naser” aty pranë. Një sulm ndaj një makine në qytetin Gaza vrau dy persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk pati një koment të menjëhershëm nga ushtria për këto sulme. Izraeli po vazhdon të kryejë sulme të përditshme në Gazë edhe më shumë se 14 muaj pas fillimit të luftës me Hamasin. Izraeli thotë se synon vetëm militantët, duke i akuzuar se fshihen mes civilëve, por bombardimet shpesh vrasin gra dhe fëmijë.
 
Izraeli thotë se të paktën një e treta e të vrarëve kanë qenë militantë dhe thotë se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve.