LSDM: E tmerrshme, shumë foshnja vdiqën për 6 muaj
LSDM-ja ka akuzuar VMRO-DPMNE-në...

LSDM-ja ka akuzuar VMRO-DPMNE-në për siç thonë vdekjen e 19 foshnjave dhe një vajze 5-vjeçare në gjysmën e dytë të vitit 2024. Ata thonë se këto shifra janë të frikshme dhe kërkojnë përgjegjësi nga pushteti aktual.
“Të dhënat tragjike për vdekjen e fëmijëve në gjashtë muajt e fundit tronditën opinionin, ndërsa Mickoski dhe DPMNE-ja nuk shqetësohen. Në gjysmën e dytë të vitit 2024 humbën jetën 19 foshnja dhe një vajzë pesëvjeçare. Këto shifra janë të frikshme dhe që kërkojnë përgjigje të menjëhershme: ku po dështon sistemi, si bëhen gabimet dhe a ka mbulim të gabimeve mjekësore? Është alarmant rasti i fundit me vdekjen e foshnjës shtatëmuajshe në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve. Foshnjës iu refuzua shtrimi në spital pa asnjë shpjegim - rasti i dytë i tillë tragjik në vetëm dy muaj e gjysmë. Këto tragjedi nuk duhet të injorohen! Ministër Taravari, drejtori Memedi, është koha që ju të merrni përgjegjësi!”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
VMRO-DPMNE: Me Filipçen ministër, shëndetësia plot skandale
I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së. Sipas tyre, Filipçe si ministër i Shëndetësisë, jo vetëm që e solli shëndetësinë në kolaps, por ka përfituar në çdo mënyrë dhe la pas vete një sektor të rrënuar.
“LSD-ja ka pasur një sërë skandalesh. Në Onkologji më të cenuarit mbetën pa kujdesin e duhur dhe të mashtruar. LSD-ja gjithashtu pati një sërë skandalesh në shëndetësi me tenderët e turbullt, bllokimin e spitalit të Shtipit dhe shkatërrimin e Kardiokirurgjisë së Fëmijëve. Filipçe lejoi ndërtimin e spitaleve modulare pa standarde, dhe kur pacientët u dogjën tragjikisht, ai fajësoi pajisjet teknike Nën udhëheqjen e Filipçes, personeli mjekësor u kap duke vjedhur citostatikë, kështu që ata u rivendosën dhe spitalet mbetën pa barna bazë. Maqedonia u bë vendi me shkallën më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi, ndërkohë që pajisjet nuk u përdorën.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
