Maqedoni
Arratisja e Grubit, Mexhiti: Hetuesia të merret me rastin
23.12.2024 15:44
Qeveria pretendon se me nisjen e proceseve ligjore ndaj ish-zyrtarëve po kthehet shteti ligjor dhe besimi tek institucionet...

Qeveria pretendon se me nisjen e proceseve ligjore ndaj ish-zyrtarëve po kthehet shteti ligjor dhe besimi tek institucionet. Përkundër faktit që Grubi dhe Bajrami janë në arrati, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nuk pohon se Grubi ndodhet në Shqipëri. Ai i le hapësirë organeve të hetuesisë të merren me rastin.
“Mendoj që Qeveria e ka bërë të veten dhe po kthehet shteti ligjor dhe askush nuk është mbi ligjin. Mbetet te organet e rendit dhe të drejtësisë që të merren me këtë çështje.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Toshkovski: Grubi të kthehet në vend
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka ftuar Grubin që të kthehet në vend, nëse ai është i sigurt se është i pastër si loti. Toshkovski nuk spekulon për vendndodhjen e Grubit. Përshëndeti vendimin e BDI-së për t’u distancuar nga Grubi, duke e ftuar që të njëjtën ta bëjë edhe me persona të tjerë të dyshimtë për përfshirje në krim.
VMRO – DPMNE: LSDM-ja në dijeni për krimin e Grubit
Nuk ka munguar edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së. Ata vlerësojnë se LSDM-ja dhe Filipçe kanë qenë në dijeni për krimin e Grubit, por kanë zgjedhur të heshtin për të mbajtur në këmbë Qeverinë.
“Kur VMRO-DPMNE-ja fliste se LSD-ja janë shërbëtorë të BDI-së, e mendonte pikërisht këtë. LSD-ja po hesht dhe lejuan krimin e Grubit, që BDI-ja të mos braktisë Qeverinë. LSD-ja dhe Filipçe duhet të dalin para qytetarëve dhe të kërkojnë falje për Grubin. Të mos ishte LSD-ja dhe dëshira e tyre e flaktë për pushtet, buxheti nuk do të dëmtohej për disa miliona nga Grubi dhe shokët e tij.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
BDI: Me politikë mashtrimi po mbahen institucionet
Nga BDI-ja nuk kanë ndenjur të heshtur. Ata me kundërakuza i janë drejtuar pushtetit. Sipas tyre, institucionet janë të manipuluara.
“Është instaluar një politikë mashtrimi për të blerë kohë dhe për të mbajtur pushtetin, por shqiptarët dhe qytetarët që besojnë në barazi dhe drejtësi i kanë lexuar qartë veprimet e këtij pushteti me legjitimitet monoetnik. Institucionet, që dikur u shërbenin të gjithëve, tani janë kthyer në mjete të përjashtimit etnik dhe krijimit të hegjemonisë.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Integristët konsiderojnë se drejtësia duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke ballafaquar me faktet për të gjithë zyrtarët e përfshirë në listën e zezë amerikane.
MERAL ISMAILI
