Maqedoni
ITShKSh, në vigjilje të Krishtlindjeve, me mesazhe paqeje të Nënë Terezës
23.12.2024 16:09
Duhet të dërgojmë mesazhin e paqes, mirëkuptimit dhe solidaritetit....

Duhet të dërgojmë mesazhin e paqes, mirëkuptimit dhe solidaritetit. Është ky një moment që na bashkon rreth idesë themelore për një botë më të dinjitetshme dhe me më pak kontradikta e konflikte, tha kreu i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Asani, në vigjilje të festës së Krishtlindjes. Sipas tij, kjo është kauza shkencore e humane e këtij Instituti, në kuadër të të cilit tash e disa vite me sukses po vepron departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Tereza.
“Sikur dashuria dhe dhembshuria të zinin vend pak më tepër në zemrat e njerëzve, bota sot do të ishte më ndryshe, të paktën nuk do të ishte kaq e konfrontuar dhe rivalizuar, prandaj edhe ky takim i yni sot këtu në Shkup, në nderim të Krishtlindjes, le të jetë një xixë drite më tepër në tunelin e mosmarrëveshjeve e grindjeve midis njerëzve. Të gjithë ne meritojmë ardhmëri të dinjitetshme, por që të arrihet kjo, nevojitet mirëkuptim dhe interaksion më i madh human mes njerëzve.”, - deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani.
Populli shqiptar ka dallime, por jemi në kërkim të bashkimit përpara festës së Krishtlindjeve, prandaj është e nevojshme të shpërndajmë mesazhin e Nënës Terezë, për paqe dhe dashuri, tha prifti katolik shqiptar i ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji.
“Përpara Krishtlindjeve është një ngjarje e cila prek jo vetëm mendjen, por mbi të gjitha zemrën dhe ndjenjat tona. Nënë Tereza, me një poezi uratë thotë: Krishtlindja është atëherë kur mendjen dhe zemrën i ke të drejtuar kah ata të cilët kanë nevojë, e nevoja më e madhe nuk është ushqimi apo veshmbathja, por është dinjiteti, liria dhe dashuria.”, - theksoi Don Lush Gjergji.
Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, i pranishëm në këtë event, tha se Qeveria do t’i mbrojë interesat e komunitetit shqiptar katolik në Maqedoni.
“Kjo është një trashëgimi dhe dëshmi e prezencës dhe vazhdimësisë sonë historike dhe ky fakt paraqet një vlerë unike për të cilën ne si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duhet të jemi krenarë. Prandaj jam këtu për t’i siguruar se Qeveria do të jetë gjithmonë një partner për të adresuar çështjet të cilat e brengosin këtë komunitet dhe përmes projekteve e politikave afirmative për ta mbrojtur dhe kultivuar identitetin e shqiptarëve katolikë të Maqedonisë, si pjesë përbërëse e tërësisë sonë identitare si shqiptar.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Mexhiti tha se mozaiku ynë multikulturor dhe multireligjioz nuk do të jetë asnjëherë i plotkuptimtë pa prezencën dhe vendin e merituar të vëllezërve tanë katolikë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
