Gjykata Kushtetuese: Politika të largojë duart nga Gjykata!
Me rastin e pres konferencës së fundvitit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski...

Me rastin e pres konferencës së fundvitit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, u bëri thirrje aktorëve politikë që të largojnë duart nga puna e Gjykatës Kushtetuese.
Ai në vitin 2024 e karakterizoi si vit me reforma të mëdha, por edhe me presione serioze politike dhe ndikime në punën e Gjykatës duke u bazuar në tentimet për politizim dhe etnizim të procedurave gjyqësore për lëndë konkrete.
“Hiqni duart nga Gjykata Kushtetuese! Qëndroni realistë dhe vërtetë të përkushtuar për sundimin e ligjit ndaj një shteti ligjor për vlerat evropiane. Kushdo që mendon se sundimi i ligjit dhe shteti ligjor do të pengohen nga manipulimet politike, presionet dhe ndikimet, aspak të mos tentojë! Askush nuk është mbi Kushtetutën. Të gjithë janë të detyruar të respektojnë Kushtetutën. Askush nuk mund të ketë më shumë pushtet dhe të drejta se ato që i jep Kushtetuta!”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Ndërkohë, Kostadinovski njoftoi se gjatë ditës së nesërme do të konfirmohen emrat e pjesëmarrësve në seancën përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe do të vërtetohen çështjet e kontestuara juridike.
Në seancën përgatitore do të marrin pjesë edhe 13 iniciatorët e nismave për kushtetutshmërinë e Ligjit, ku bëjnë pjesë edhe dy parti politike.
Lidhur me paralajmërimin e dy gjykatësve shqiptarë që nuk do të marrin pjesë në seancën përgatitore, Kostadinovski u përgjigj se gjykata mund të sjellë vendim edhe me 5 gjykatës. Seanca përgatitore pritet të mbahet mes datave 19 dhe 21 mars.
“Akoma nuk kemi përgjigje nga Komisioni i Venedikut, por kemi vërtetim se kërkesa është pranuar dhe se vendimi do të sillet më 14 apo 15 mars. Nuk dua të spekuloj me emra, në listë ka më shumë se 20. Bëhet fjalë për ekspertë të së drejtës kushtetuese, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, ekspertë për të drejtat e njeriut, ish-gjykatës në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut.”, - theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Duke analizuar deklaratat e kryeministrit, i cili disa herë ka deklaruar se tashmë dihet se kush i ka zgjedhur gjyqtarët kushtetues, Kostadinovski tha se nuk ka rëndësi se kush i ka zgjedhur. Çdo herë, një përbërje e Kuvendit do të zgjedhë gjyqtarët. Kjo nuk do të thotë se ajo përbërje e Kuvendit mund të ndikojë, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese. (Florije Kamberi, TVM2)
