Botë
Protesta e opozitës në Tiranë, u arrestuan 7 protestues
24.12.2024 10:59
Shtatë protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës për protestën e së hënës në Tiranë...

Shtatë protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës për protestën e së hënës në Tiranë. Mes personave të proceduar penalisht ka edhe deputetë të opozitës.
Procedimet e policisë vijnë pas përplasjeve me uniformat blu, si dhe bllokim të rrugëve duke penguar qarkullimin rrugor. Opozita protestoi dje për 3 orë, nga ora 17:00 deri në 20:00, duke bllokuar kryqëzimet kryesore në kryeqytet. Nga hetimet rezultoi se gjatë tubimeve të organizuara ditën e djeshme, deputetë ose përfaqësues të subjekteve politike Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia Republikane dhe Partia e Lirisë iu kanë bërë thirrje tubuesve, që së bashku me ta, të bllokonin akset rrugore, në mënyrë që mos të kishte lëvizje të mjeteve.
Tubuesit kanë kundërshtuar forcërisht punonjësit e Policisë në detyrë, si dhe nuk iu janë bindur urdhrave të tyre, për lirim të akseve rrugore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. Për herë të parë pas daljes nga arresti shtëpiak, në rrugë për mosbindjen civile doli edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
