Kosovë, KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe

24.12.2024 14:17

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës nuk e certifikoi Listën Serbe...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi dy anëtarë të KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje – Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, votuan kundër, ndërsa anëtarët tjerë ishin të përmbajtur, ndërsa kryetari i KQZ-së ka votuar pro.

Moscertifikimi i Listës Serbe nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes në komision, u arsyetua me atë se kjo parti nuk e njeh Kosovën si shtet dhe përdor rregullisht termin “Kosova dhe Metohia”. 

“Përfaqësues të kësaj liste mbajnë kontakte të vazhdueshme, shihen edhe nëpër fotografi edhe në TV me pushtetin e Vuçiqit, ku është edhe Radojçiqi. Personi që ka qenë nënkryetar ka organizuar dhe ka udhëhequr sulmin në Banjë, ku është vrarë një polic, sulmin terrorist. Kjo listë kurrë nuk është deklaruar publikisht për ta dënuar këtë sulm. Kemi lidhjen tjetër të sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit. Këto janë elemente të shumta. Kemi edhe pamje, fotografi ku ish-kryetari i këtij subjekti, Rakiqi, bashkë me anëtarë tjerë të këtij subjekti kanë udhëhequr turmat që i kanë sulmuar edhe ushtarët e KFOR-it edhe policinë e Kosovës, me disa dhjetëra të plagosur, kurrë nuk kemi asnjë distancim të këtij subjekti politik nga aktet terroriste që janë bërë në Republikën e Kosovës.”, - deklaroi anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi.

Por, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, vendimin e KQZ-së, e quajti jodemokratik dhe kundër serbëve. Ai ka thënë se termi "Kosova dhe Metohia” është plotësisht i ligjshëm, sepse ai përfaqëson një toponim.

Ai njëherit paralajmëroi ankimim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Elek tha se vendimi i KQZ-së është urdhëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se “dëshiron t'i eliminojë serbët nga këto troje”.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar shprehu shqetësim se procesi i certifikimit të subjekteve politike po ndikohet nga motive politike dhe bëri thirrje që Lista Serbe të ushtrojë të drejtën e saj për t’iu drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë deklaroi se “është e domosdoshme që votuesit, e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson”. 

Reagime të ngjashme erdhën edhe nga ambasada gjermane dhe britanike, si dhe nga Bashkimi Evropian dhe Misioni i OSBE-së. (Gyltene Sinani, TVM2)