Memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë për Punë Sociale dhe UNT-së, studentët do përfshihen në projekte të ndryshme
Ministria për Punë Sociale, Demografi dhe Rini...

Ministria për Punë Sociale, Demografi dhe Rini nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Universitetin “Nënë Tereza” me qëllim që të avancohen raportet bashkëpunuese mes institucionit shtetëror dhe trupit akademik, sidomos në pjesën e praktikës së studentëve në këtë dikaster dhe pjesëmarrjen e tyre në projekte të ndryshme.
Bashkëpunimi do të ketë edhe një rëndësi tjetër për faktin se do të diskutohet për ikjen e popullit jashtë vendit dhe mundësinë për riintegrimin ekonomik të tyre.
“Ekzistojnë mundësi të ndryshme të bashkëpunimit, jo vetëm të punës praktike, por edhe të pjesëmarrjes së studentëve në projekte të ndryshme, por edhe pjesëmarrjes së universitetit, profesorëve në hartimin e strategjive dhe planeve të ndryshme aksionale, të cilat janë shumë të nevojshme për shtetin tonë duke u nisur nga fakti se ne kemi diku afër 800 mijë bashkatdhetarë tanë të cilët jetojnë në botën e jashtme dhe një projekt, një program, një strategji për riintegrimin ekonomik të diasporës me vendin, do të ishte shumë në interes.”, - deklaroi rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri.
“Memorandumi është konfirmim i gatishmërisë sonë për bashkëpunim në funksion të ndihmës së ndërsjellë, mbështetjes dhe shërbimeve në përgatitjen, menaxhimin dhe realizimin e projekteve, planeve, aktiviteteve, nismave të përbashkëta, që të nxisim zhvillimin lokal dhe rajonal, veçanërisht në fushën e politikës sociale, demografisë dhe rinisë.”, - theksoi ministri i Punës Sociale, Fatmir Limani.
Me këtë partneritet do të hapet rruga e angazhimeve të përbashkëta që do të rezultojë me suksese, rritje dhe inovacion, thanë folësit, nënshkrues të memorandumit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
