Maqedoni
Ekzekutivi i përgjigjet Ahmetit për legjitimitetin, Mickoski: Pas nesh qëndrojnë mbi 600 mijë votues
24.12.2024 15:02
Në deklarimin e mbrëmshëm të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se Qeveria pa BDI-në nuk ka legjitimitet etnik...

Në deklarimin e mbrëmshëm të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se Qeveria pa BDI-në nuk ka legjitimitet etnik, kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh se mbrapa kësaj Qeverie, qëndrojnë më shumë se 600 mijë qytetarë të shndërruara në rreth 80 deputetë, e në raste edhe më shumë.
“E shoh prej atje se sikur akoma nuk e kanë mësuar leksionin. Në mungesë të çfarëdo ideje që do të nënkuptojë jetë më të mirë për qytetarët, ata mundohen t’i polarizojnë qytetarët dhe mendojnë se politika të tilla u sjellin rezultate. Unë mendoj se e gjithë kjo është e gabuar dhe këtë e shohin në matjet e mendimit publik. Nëse mendojnë se duhet të vazhdojnë të punojnë ashtu, është punë e tyre. Në vend se të kërkojnë falje dhe të kërkojnë që i arratisuri nga drejtësia të kthehet, ata edhe më tutje vazhdojnë ta ndajnë popullin. Por, populli është i zgjuar dhe këto porosi politike nga opozita i refuzon dhe kjo është mirë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mexhiti: Flet për hyzmeqarë, nga përvoja
Edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj fjalimit të Ahmetit, i cili koalicioni VLEN në Qeveri e kualifikon si hyzmeqar. Ai vlerëson se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është i delegjitimuar, i defaktorizuar dhe i rrethuar nga figurat e Listës së zezë.
"Kur Ali Ahmeti flet për hyzmeqarë, niset nga përvoja. Ai flet nga dora e parë, sepse bashkëpunëtorët e tij kanë qenë argatë e hyzmeqarë, të cilët interesat politike i tregtuan për provizione e marrëveshje tjera korruptive. Për pasojë, ata hyzmeqarë sot janë nëpër STOP lista ose në ikje, ndërsa BDI-ja është kthyer në grupacion non-gratash. Ali Ahmeti sot është i delegjitimuar, i defaktorizuar dhe i rrethuar nga figurat e Listës së zezë. Prandaj, kualifikimet e tipit “hyzmeqarë” e “argatë” janë vetëm tentim i dëshpëruar për ta ruajtur strukturën partiake që po e braktis BDI-në sikur pasagjerët e anijes që po fundoset.", ka shkruar Mexhiti në Fejsbuk.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë koktejit tradicional të fundvitit, tha se Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet etnik, ndërsa theksoi se kryeministri Mickoski po vazhdon rrënimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, marrëdhëniet ndëretnike dhe integrimi në BE janë çelësi për të ardhmen e vendit.
FLORIJE KAMBERI
