Maqedoni
Pakot e vitit të ri, AUV-ja konstaton produkte me afat të skaduar
24.12.2024 15:32
Në prag të festave të fundvitit, zbukurime e babagjyshër nëpër rrugë, fytyra të qeshura dhe të gëzuara...

Në prag të festave të fundvitit, zbukurime e babagjyshër nëpër rrugë, fytyra të qeshura dhe të gëzuara, e sidomos të fëmijëve që mezi presin të marrin dhuratat e Vitit të Ri, ku si dhuratë më e çmuar për ta është padyshim paketa e mbushur me gjësende brenda, si çokollata, bonbone, lodra, etj., por në ato paketa ndodh edhe të ketë etiketa me afate të skaduara, prandaj lind pyetja se sa këto pako janë të sigurta?
Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në magazina, markete dhe dyqane që shesin pako për Vitin e Ri dhe kanë hasur në parregullsi.
“U konstatua se 4 operatorë kishin pako të shënuara në mënyrë të parregullt. Në rastin e 3 llojeve të paketimeve u konstatua se paketa kolektive nuk ka datë skadimi, pra datën e qëndrueshmërisë minimale të produkteve që përmban paketa e Vitit të Ri, për këtë arsye është urdhëruar tërheqja e tyre nga qarkullimi. U krye një rishikim i përmbajtjes së 62 paketave të Vitit të Ri. Në 2 pako janë gjetur produkte të skaduara, si dhe me afat të shkurtër skadimi deri më 12.2024. Gjithashtu janë vërejtur ndryshime organoleptike të produkteve në paketimet kolektive që kanë një jetëgjatësi të përcaktuar.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov.
Qytetarët vazhdojnë t’i gëzojnë fëmijët e tyre me paketa, të cilat shpeshherë edhe i mbushin vetë sipas dëshirës së tyre, sepse për ta është më e sigurt.
“Normale që nuk blej pa e parë brenda se a kanë produktet afat të përdorimit, më e mira është për ta është t’ua bëjmë vet.”, - tha një qytetar.
“Do ta bëj vetë, gjithmonë e kam praktikuar këtë gjë. I kam kombinuar dhe i kam mbushur vet paketat për fëmijët me produkte të kontrolluara, kuptohet.”, - tha një qytetare.
“Nuk blej, i bëj vetë.”, - tha një qytetare tjetër.
“Janë shumë shtrenjtë, pakot janë të mëdha kurse brenda nuk ka asgjë. Nuk vlejnë aq produktet sa për ato para.”, - u shpreh një qytetar.
Operatorët që janë konstatuar se kanë parregullsi janë urdhëruar të tërheqin paketat nga qarkullimi dhe t'i shkatërrojnë ato. Për parregullsitë e konstatuara janë shqiptuar kallëzime kundërvajtëse përkatëse.
“Përfshihen të gjithë operatorët për ushqim, duke përfshirë edhe restorantet, hotelet, lokalet, mishtoret, si dhe kontrolle në shitblerjet me pakicë dhe shumicë. Theks të veçantë të kontrollit do të kenë afatet e skadimit të produkteve, me qëllim sigurimin e ushqim të sigurt për të gjithë qytetarët.”, - theksoi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari apelon qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të blejnë produkte nga operatorë të kontrolluar dhe për çdo parregullsi që e hasin në produkte ta paraqesin në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.
FITORE DEMOLLI
