Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Limani mbështet Mickoskin për garanci

24.12.2024 15:38

Koalicioni VLEN mbetet i përkushtuar në Qeveri dhe nuk e mendon braktisjen edhe përkundër mos ekzekutimit të ndryshimeve kushtetuese....

Koalicioni VLEN mbetet i përkushtuar në Qeveri dhe nuk e mendon braktisjen edhe përkundër mos ekzekutimit të ndryshimeve kushtetuese. Ministri i dikasterit të sociales, Fatmir Limani, nga radhët e Lëvizjes “Besa”, i jep të drejtë kryeministrit Mickoski, i cili kërkon garanci nga bashkësia ndërkombëtare se ndryshimet në Kushtetutë do të jenë kërkesa e fundit bullgare.
 
“Unë u paraqes qëndrimin e kryeministrit, nëse mendoni se do të duhet të jepet përgjigje më konkrete për këtë, do të japë ai përgjigje për këtë, ndërkohë që ne si partner koalicioni do të sjellim vendimet tona në kuadër të subjekteve dhe strukturave të cilat i përbëjmë.”, - deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani.
 
Limani mohon se do ta braktisin Qeverinë
 
Edhe kryetari i ASh-së, Arben Taravari, paraprakisht ka përkrahur Mickoskin, duke thënë se me të drejtë kërkohen garanci. Taravari madje ka shtuar se krerët e VLEN-it do të ulen dhe përpilojnë strategji për veprimet e mëtejme. Këtë e pohon edhe vetë ministri Limani, i cili mohon se do ta braktisin Qeverinë.
 
“VLEN-i ka katër përfaqësues, kryetarë të VLEN-it dhe do t’u drejtoheni atyre me nga një pyetje të njëjtë, të këtillë dhe ata do t’iu japin përgjigje më të mirë dhe më të saktë. Ajo që e thashë unë ishte se pas tre vitesh do të ketë zgjedhje edhe shihemi në zgjedhje.”, - theksoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani.
 
Kryeministri Mickoski më konkretisht nga Parlamenti Evropian ka kërkuar rezolutë për pranimin e identitetit dhe gjuhës maqedonase. Çdo zgjidhje tjetër e ndryshimeve kushtetuese do të jetë afatshkurtër, ka vlerësuar Mickoski. Eurodeputetët janë të të njëjtit mendim se vendi duhet të sigurohet se s’do të ketë kërkesa shtesë, por ende nuk kanë marrë ndonjë veprim konkret. Në rrugëtimin drejt Evropës, Maqedonia e Veriut ka ndryshuar flamurin shtetëror, emrin e shtetit, kartëmonedhat dhe simbolet shtetërore. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë ka mbetur përgjysmë në mungesë konsenzusi. Pushteti konsideron se ndryshimet, përpos numrave, nevojiten minimalisht tre muaj.
 
MERAL ISMAILI