Maqedoni
Çerdhja në Haraçinë, peng i mohimit të legjitimitetit
24.12.2024 16:06
Ministri për Punë, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani, arsyetohet për mos hapjet e çerdheve të premtuara për vitin që po e lëmë pas...

Ministri për Punë, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani, arsyetohet për mos hapjet e çerdheve të premtuara për vitin që po e lëmë pas. Për çerdhen në komunën e Haraçinës, pos disa procedurave ligjore kërkon edhe nga i pari i Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, që t’i kërkojë falje, sepse e ka quajtur Limanin ministër jolegjitim.
“Kryetari i Haraçinës do të duhet të kërkojë falje publike se unë jam ministër jolegjitim dhe në momentin që do të përcaktohet nëse unë jam legjitim ose s’jam, atëherë kur ai të bindet në të njëjtën kohë edhe nënshkrimi im do të jetë legjitim. Nuk shkojnë të dyja bashkë, jolegjitimiteti im me nënshkrimin tim legjitim.”, - deklaroi ministri i Sociales, Fatmir Limani.
Çerdhja në Çair ka kontest pronësoro-juridik
Ndërkohë, në komunën e Çairit nuk është hapur ende çerdhja, sepse ka kontest juridiko-pronësor, thotë ministri Limani.
“Komuna e Çairit ka një kontest me çështjen pronësoro-juridike të cilën do të duhet ta kryejë, sepse nuk jemi ne fajtorë në atë pjesë. Kemi krijuar edhe komisione të përbashkëta me qëllim që edhe kjo çështje të tejkalohet. Pra, është çështje e pronës dhe mandej të nënshkruajmë procedurën e çerdhes për mobilim.”, - theksoi ministri i Sociales, Fatmir Limani.
Kur jemi te çerdhet, në përgjithësi procedurat janë të ndërlidhura, sqaron ministri, pasi që është punë e ndërlidhur mes ministrive, ku njëra merret me hartimin e projekteve, tjera me financa dhe organi i tretë me plane urbanistike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
