Bota në fokus
U votua Qeveria e re e koalicionit pro-evropian në Rumani...

U votua Qeveria e re e koalicionit pro-evropian në Rumani, e udhëhequr nga kryeministri, Marsel Çollaku, i cili bëri betimin me ministrat e rinj, duke premtuar prosperitet për popullin dhe fundin e krizës politike pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale nga Gjykata Kushtetuese.
Misioni i tyre është të sigurojnë stabilitet dhe të ruajnë trajektoren pro-evropiane të vendit, theksoi presidenti rumun, Klaus Iohanis.
"Të gjithë duan stabilitet dhe ruajtjen e rrugës euroatlantike të Rumanisë me çdo kusht dhe në këtë drejtim ju kërkoj të veproni në përputhje me rrethanat. Ka shumë sfida që duhen zgjidhur, por vlen të përmenden dy: buxheti për vitin 2025 dhe përcaktimi i kalendarit për zgjedhjen e Presidentit.”, - deklaroi presidenti i Romanisë, Klaus Iohanis.
Qeveria e re e koalicionit ra dakord të ketë një kandidat presidencial dhe të emërojë së bashku Krin Antoneskun, pasi të caktojnë një datë për zgjedhjet e reja presidenciale në vend.
Zelenski akuzoi kryeministrin sllovak, Fico, se donte të ndihmonte Putinin të fitonte para për të financuar luftën pasi u kthye nga Moska me konfirmimin nga Putini se Rusia ishte gati të rifillonte furnizimet me gaz në Sllovaki.
“Marrëveshjet në hije me Putinin, ose janë tregti për interesa shtetërore ose punojnë për përfitime personale. Ne i dhamë atij një ofertë për kompensim të mundshëm për humbjet nga transiti rus, alternativa për transit - për çdo gaz tjetër përveç rusit, me kërkesë të Komisionit Evropian. Ne ishim gati për këtë, por Fiço refuzoi.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ukraina ka njoftuar se nuk do të rinovojë kontratën për transitin e gazit përmes Ukrainës pas skadimit të 31 dhjetorit.
Sulme të reja në veri të Gazës. Palestinezët pretendojnë se forcat izraelite shpërthyen dy automjete pranë spitalit “Kamal Advan”, duke plagosur dhjetëra pacientë dhe personel mjekësor.
Në të njëjtën kohë, Huthi në Jemen ka thënë se do të vazhdojnë sulmet ndaj Izraelit derisa të bëjnë presion për një armëpushim në Gazë.
Tel Avivi ka konfirmuar se është afër një marrëveshjeje me Hamasin, por ka kërcënuar se do të vrasë liderët Huthi, nëse vazhdojnë me sulmet me raketa.
“Ne do të godasim infrastrukturën e saj strategjike dhe do të presim kokën e udhëheqjes – ashtu siç bëmë me Hanijeh, Sinëar dhe Nasrallah në Teheran, Gazë dhe Liban.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz.
Izraeli zgjati edhe një vit gjendjen e jashtëzakonshme të vendit dhe ndau një buxhet prej 9 miliardë dollarësh për të mbuluar kostot e luftës. (Fitim Kryeziu, TVM2)
