Derbi i Tetovës kësaj rradhe i takon Shkëndisë

03.05.2015 18:56

Derbi I katërt dhe I fundit shqiptar për këtë sezon në kuadër të ligës së parë futbollistike në vendin tonë, mes skuadrave të Shkëndisë dhe Renovës, për herë të parë I takoi ekipit “kuqezi”...

Në xhiron e parë të garave të play off`it, për arsye tani më të njohura, derbi tetovar u zhvillua në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, stadium ky që I solli edhe njëherë fat Shkëndisë, e cila arriti të mposhtë me 3-1 ekipin e ish trajnerit Qatip Osmani.

Ndeshja u zhvillua në praninë e një numri të madh të publikut, me shumë grintë në fushë, me ç`rast nuk munguan as kartonat e kuq të referit Dimitar Meçkarovski, i cili përjashtoi nga loja Besir Demirin te vendasit dhe Saimir Fetain te mysafirët.

Për Shkëndinë, golashënues në këtë ndeshje ishin braziljanët Zhufo dhe Zhunior, si dhe kroati Vruçina, ndërsa për mysafirët, golin e vetëm dhe të nderit, e regjistroi Elmedin Rexhepi.

Ndryshe, kjo ishte fitorja e parë këtë sezon e Shkëndisë ndaj Renovës, pas dy humbjeve dhe një barazimi.

Me trepikëshin e ri, “kuqezinjët” janë shmangur në gjashtë pikë nga rivali lokal, në luftën për vendin e tretë, që në fund të sezonit shpien në Ligën Europa.

Shkëndija, tani ka 50 pikë, gjashtë më shumë se Renova, e cila mbetet të shpresoj në fitore të Rabotniçkit në finalen e kupës ndaj Teteksit, pasi fitorja e “romantikëve”, do t`u kishte mundësuar dalje në Europë edhe të përzgjedhurve të Qatip Osmanit. (Mustafa Ademi, TVM2)