Maqedoni

Ibraimi dhe Arifi: Ministri Limani bën abuzim me detyrën

25.12.2024 12:21

Kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, dhe ai i Likovës, Erkan Arifi...

Kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, dhe ai i Likovës, Erkan Arifi, kanë reaguar ndaj deklaratës së ministrit, Fatmir Limani, duke e akuzuar se ai po bën abuzim flagrant me detyrën zyrtare, ndërkohë që po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së padive penale. 
 
“Ky veprim përbën abuzim flagrant me detyrën zyrtare dhe tregon qartë qëllimet e tij për të vendosur interesa personale dhe politike mbi mirëqenien e fëmijëve tanë. Refuzimi për të firmosur hapjen e çerdheve në Haraçinë dhe Likovë është një akt diskriminues dhe i papranueshëm, që pengon të drejtën e qytetarëve për akses në shërbime publike thelbësore. Ky veprim është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe etikën që duhet të udhëheqë punën e një zyrtari publik. Në këtë drejtim, ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të ndërmarrë veprime dhe të hetojë këtë abuzim të hapur të pozitës zyrtare. Gjithashtu, ne po shqyrtojmë ngritjen e padive penale ndaj ministrit për shkelje të detyrës zyrtare dhe pengim të ushtrimit të funksioneve institucionale në shërbim të qytetarëve.  Fëmijët tanë dhe familjet e komunave të Haraçinës dhe Likovës nuk duhet të jenë viktima të lojërave politike apo të kapriçove personale të askujt. Ne do të mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë me çdo mjet ligjor dhe do të vazhdojmë të luftojmë për mirëqenien dhe interesat e tyre.”, thuhet në reagimin e kryetarëve të komunës së Haraçinës dhe të Likovës.